Lidhje


Pyetjet me të cilat duhet të përballen palestinezët sot për të formësuar të ardhmen e tyre

Vetëm nëpërmjet një dialogu të vërtetë kombëtar, populli palestinez mund të përballet në mënyrë efektive me sfidat e një rajoni që ndryshon me shpejtësi…

 

Nga Alaa Tart “Middle East Eye”

 

Ndërsa po shohim transformime të shpejta në peizazhin politik dhe të sigurisë në Lindjen e Mesme, si dhe të dinamikës në zhvillim të pushtetit, ia vlen të pyesim se deri në çfarë mase palestinezët janë të përgatitur të përballen me këto ndryshime rajonale, si duke lexuar siç duhet panoramën më të madhe, ashtu edhe duke u përgatitur për atë që i pret, me qëllim që ta fuqizojnë kauzën e tyre pas dy vitesh gjenocidi nga ana e Izraelit.

 

Palestinezët duhet të reflektojnë mbi rajonin përmes asaj që kanë përjetuar vetë, duke u angazhuar në një proces që sheh përpara për të formësuar të ardhmen, në vend se thjesht të jetojnë nën pasojat e saj. Një largpamësi e tillë nuk është luks, por domosdoshmëri në këtë kohë, sidomos pasi Izraeli ka dalë nga dy vitet e fundit si një fuqi rajonale më dominuese.

 

Pa një përgjigje të fortë apo mekanizma për llogaridhënie, Izraeli do të vazhdojë të përforcojë më shumë “fakte në terren”, dhe t’i japë rajonit formën që dëshiron, duke pasur në krah mbështetjen e pakushtëzuar të SHBA-së.

 

Nëse përgjigja ndaj kësaj hegjemonie janë vetëm takimet formale, konventat e zbukuruara dhe retorika arrogante, pa veprime të vërteta për të frenuar Izraelin - si në nivel rajonal, ashtu edhe ndërkombëtar - atëherë asgjë nuk do ta pengojë Tel Avivin të sigurojë një realitet të ri, ku palestinezët qëndrojnë në fund të listës së prioriteteve.

 

Mjerisht, duke pasur parasysh dinamikën aktuale, Izraeli ka mjaftueshëm aleatë rajonalë arabë për ta arritur këtë, duke paraqitur një kërcënim serioz për përpjekjet e popullit palestinez për çlirim dhe vetëvendosje.

 

Këtij kompleksiteti, i shtohet edhe fakti që rajoni është bërë ndoshta më i militarizuar dhe i siguruar se kurrë më parë, me Lindjen e Mesme që zë tani më shumë se një të katërtën e importeve globale të armëve. Kjo është një shenjë e keqe për çdo perspektivë paqeje të qëndrueshme ose sigurie njerëzore në rajon.

 

Pasi përparësia e shumicës së regjimeve - të cilat janë kryesisht autoritare - do të jetë mbijetesa dhe siguria e tyre dhe jo siguria e popujve të tyre. Kjo gjë do të vazhdojë të pengojë aftësitë e popujve arabë për të punuar kolektivisht për lirinë e tyre - një liri që nga ana tjetër, do t’i sillte dobi Palestinës.

 

Dinamika në zhvillim

 

Për më tepër, lufta në rajonin tonë duket se është gjithmonë shumë pranë. Me shumë mundësi në të ardhmen e afërt, do të shohim një raund tjetër të përshkallëzimit rajonal, edhe pse sot po dëgjojmë daullet e ”paqes” - një paqe shumë larg kuptimit të vërtetë të kësaj fjale.

 

Sa të përgatitur janë palestinezët për secilin skenar, “luftë” apo “paqe”? Apo do të jenë sërish vetëm spektatorë - duke reaguar ndaj rezultateve dhe pasojave, në vend se të ndihmojnë në formësimin e trajektores së ardhshme të ngjarjeve?

 

Sot më shumë se kurrë, palestinezët duhet ta lexojnë dhe analizojnë rajonin përmes një lenteje thjesht palestineze, dhe jo përmes perspektivave të të tjerëve. Në mesin e dinamikave rajonale në zhvillim e sipër, ata duhet ta marrin seriozisht peshën e tyre politike.

 

Për shembull, si po përballen palestinezët me pasojat e rënies së “boshtit të rezistencës” të udhëhequr nga Irani ? Pavarësisht se çfarë mendon njëri apo tjetri për efikasitetin e tij, fakti është se ai shërbeu qartazi si një kundërpeshë ndaj hegjemonisë izraelito-amerikane.

 

Me këtë bosht që po dobësohet, çfarë do të ndodhë me ekuilibrin rajonal të pushtetit dhe vendin e Palestinës brenda tij? Përgjigjet palestineze për këto pyetje, duhet të hedhin bazat për diskutime të mëtejshme të brendshme.

 

Pas dy vitesh gjenocidi, vizioni nuk mund të mbetet i njëjtë me atë të 30 viteve të fundit, ashtu si edhe udhëheqja palestineze. Një shembull tjetër, është normalizimi i rapoteve midis vendeve në rajon dhe mënyra se si palestinezët e shohin këtë proces.

 

Ndërsa normalizimi i kërkuar me Izraelin është ndërprerë përkohësisht, herët a vonë disa vende me siguri që do të kërkojnë të ringjallin Marrëveshjet e Abrahamit. Nënshkruesit kryesorë, nuk ka gjasa ta marrin seriozisht gjenocidin dhe pasojat e tij.

 

Disa mund të argumentojnë, se luftërat e ardhshme mund të parandalohen duke thelluar normalizimin dhe duke përfshirë më shumë vende. Në këto kushte, cila do të jetë përgjigjja konkrete dhe thelbësore e palestinezëve?

 

Apo rezultati do jetë një kthim në “normalitetin e vjetër”, edhe pas të gjitha sakrificave të bëra nga palestinezët në Gaza gjatë dy viteve të fundit? Një aspekt tjetër i parashikimit të së ardhmes, ka të bëjë me aktorët dhe ndikuesit që formësojnë të ardhmen e rajonit, si dhe me masën në të cilën palestinezët po angazhohen me tendencat në zhvillim, që nuk përputhen domosdoshmërisht me modelet e vjetra dhe të njohura.

 

Rajoni po zhvendoset drejt lindjes, dhe po vë gjithnjë në pikëpyetje e më shumë besueshmërinë e SHBA-së si partnere strategjike. Për këtë, mjafton të shikosh korridoret ekonomike që do të formësojnë rajonin gjatë dekadës së ardhshme, mes marrëveshje të mëdha ekonomike me Kinën dhe Indinë, tregtinë e armëve me vendet aziatike dhe investime të mëdha në infrastrukturë. Si po i interpretojnë palestinezët këto transformime themelore?

 

Rindërtimi i Gazës

 

Dy janë aktorët kryesorë rajonalë, mbi të cilët palestinezët duhet të përqendrohen në fazën e ardhshme dhe me të cilët duhet të ndryshojnë angazhimin e tyre strategjik: Arabia Saudite dhe Egjipti.

 

Arabia Saudite, po udhëheq aktualisht koalicionin e ri global për një zgjidhje me dy shtete, dhe është thelbësore të bëhet gjithçka për të parandaluar që ky proces të mos shndërrohet në një kuadër të ri të Marrëveshjeve të Oslos. Dhe kjo gjë kërkon një dialog serioz midis palestinezëve dhe homologëve të tyre sauditë.

 

Egjipti po përpiqet të rimarrë rolin e tij si një lojtar qendror rajonal pas një dekade mungese, gjë që shpjegon pjesërisht udhëheqjen e tij në përpjekjet e botës arabe në lidhje me “të nesërmen” e Gazës.

 

Ajo që i bashkon këta dy aktorë - Arabinë Saudite dhe Egjiptin - është interesi i tyre i përbashkët për të rikonfirmuar rolin dhe lidershipin e Autoritetit Palestinez, qoftë përmes mbështetjes financiare saudite apo mbështetjes politike egjiptiane, përpara rikthimit të tij në Gaza.

 

Por kjo qasje rrezikon që ta mbajë sërish në vuajtje popullin palestinez. Rindërtimi i Gazës dhe mekanizmat qeverisës që do të vendosen në të ardhmen, do të jenë testi i vërtetë - jo vetëm për të ardhmen e Palestinës, por për të ardhmen e të gjithë rajonit.

 

E gjitha kjo kërkon një udhëheqje palestineze të ligjshme, përfaqësuese dhe efektive, me një peshë rajonale dhe një perspektivë vizionare. Pas dy vitesh gjenocid, vizioni nuk mund të mbetet i njëjtë me atë të 30 viteve të fundit, po ashtu edhe lidershipi.

 

Kjo është arsyeja pse një dialog kombëtar serioz, i vërtetë, gjithëpërfshirës dhe i pavarur - i lirë nga çdo tutelë rajonale - është bërë më urgjent se kurrë më parë. Vetëm nëpërmjet një dialogu të tillë të vërtetë kombëtar, palestinezët mund të përgatiten në mënyrë efektive për një peizazh rajonal që ndryshon me shpejtësi. Koha për të vepruar është tani.

 

Shënim: Dr. Alaa Tartir, është studiues dhe Drejtor i Programit të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut në Institutin Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen me qendër në Stokholm (SIPRI).

XS
SM
MD
LG