S’mund të ketë paqe në Palestinë pa shkatërruar shtetin-burg të I.zraelit
Burgosja dhe tortura e palestinezëve nga Izraeli, është thelbësore për projektin e tij kolonial, e megjithatë solidariteti global me të burgosurit është ende i dobët...
Nga Zoé Paris “The New Arab”
Gati 60 vjet që kur Izraeli filloi pushtimin dhe kolonizimin e paligjshëm të Bregut Perëndimor dhe Gazës, dhe 2 vjet pas fillimit të luftës gjenocidale të Izraelit, arrestimet masive dhe torturat sistematike të palestinezëve kanë arritur nivele të papara.
E megjithatë, çështja e palestinezëve të ndaluar nga Izraeli dhe krimet e kryera kundër tyre, vazhdojnë në përgjithësi të injorohen. Ndërsa Izraeli po kryente një gjenocid të transmetuar drejtpërdrejt në media ndaj palestinezëve në Gaza, shkeljet e vazhdueshme që po ndodhin në burgjet dhe kampet ushtarake izraelite, kanë mbetur kryesisht të fshehura dhe shumë rrallë të mbuluara nga mediat perëndimore.
Me shpalljen e armëpushimit dhe fillimin e shkëmbimit të të burgosurve, Izraeli ka liruar rreth 2.000 të burgosur palestinezë, nga të cilët 1.700 ishin rrëmbyen ose arrestuar arbitrarisht në Gaza gjatë gjenocidit. Ky numër, përfaqëson vetëm një pjesë të vogël të më shumë se 11.000 palestinezëve, të cilët ende mbahen të burgosur në burgjet dhe kampet izraelite.
Të paraburgosurit dhe të burgosurit palestinezë, dhe abuzimet të cilave i janë nënshtruar ata, janë trajtuar përherë si një çështje dytësore. Por këto praktika, janë në qendër të makinerisë së brutalitetit, kontrollit dhe pushtimit, që ka sunduar çdo aspekt të jetës së palestinezëve që nga viti 1967.
Një krizë gjithnjë e më akute
Që nga viti 1967, mbi 800.000 palestinezë janë ndaluar nga Izraeli në Territoret e Pushtuara Palestineze. Përgjatë viteve 1948-967, autoritetet izraelite i përdorën arrestimet si një mjet për të thyer lëvizjen çlirimtare palestineze, duke burgosur sistematikisht udhëheqësit e saj politikë.
Në fakt, me fillimin e pushtimit, Izraeli filloi arrestimet masive të palestinezëve për të parandaluar dhe shtypur çdo formë kundërshtimi ndaj projektit të tij kolonial të kolonizimit. Është pikërisht kjo praktikë, ajo që e ka mbajtur në këmbë sistemin izraelit të kolonizimit. Deri më sot, asnjë palestinez nuk është i sigurt nga arbitrariteti. Palestinezët në Bregun Perëndimor, qeverisen nga urdhrat ushtarakë izraelitë, gjë që do të thotë se secili prej tyre rrezikon të arrestohet dhe të gjykohet para gjykatave ushtarake me një shkallë dënimi afër 100 për qind.
Për më tepër, që nga 7 tetori 2023, Izraeli ka rrëmbyer dhe arrestuar më shumë se 18.500 palestinezë, përfshirë punëtorë, mjekë, gazetarë dhe studentë. Po ashtu, palestinezët që jetojnë në territoret e pushtuara, mund të arrestohen dhe të mbahen në paraburgim për një kohë të pacaktuar dhe pa një vendim gjyqësor.
Në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor, forcat pushtuese izraelite e përdorin paraburgimin administrativ, si një mjet për të arrestuar dhe ndaluar në mënyrë arbitrare civilë palestinezë pa asnjë akuzë apo gjyq.
Shpesh pretendohet se provat e përdorura për t’i arrestuar ata, gjenden në një “dosje sekrete”, e cila nuk mund të shihet as nga avokatët e të ndaluarve, duke i penguar ata të kundërshtojnë urdhrin e paraburgimit.
Ç’është akoma më skandaloze, urdhrat e paraburgimit mund të shtyhen për një kohë të pacaktuar, duke i lënë të burgosurit palestinezë në një gjendje pasigurie të vazhdueshme, duke mos ditur arsyen - nëse ka - për arrestimin e tyre dhe as se kur do të lirohen.
Ky regjim paraburgimi, i trashëguar nga mandati britanik, nuk është zbatuar pothuajse kurrë ndaj kolonëve izraelitë që jetojnë në të njëjtin territor. Deri në shtatorin e vitit 2023, rreth 1.200 palestinezë ishin të paraburgosur, ndërsa deri në shtator të këtij viti ky numër ishte 3-fishuar.
Krahas krimeve të shumta të Izraelit gjatë dy viteve të fundit, mijëra palestinezë nga Gaza u rrëmbyen dhe u ndaluan gjatë gjenocidit, pa u dhënë asnjë informacion në lidhje me vendndodhjen dhe statusin e tyre. Në fakt, ata i janë nënshtruar zhdukjes me forcë.
Abuzimi me të burgosurit
Një aspekt tjetër i mizorisë së ushtruar kundër palestinezëve, është tortura dhe keqtrajtimi që u bëhet atyre gjatë arrestimit, transferimit dhe mbajtjes në qeli. Në burgjet dhe kampet e paraburgimit izraelite, palestinezët i nënshtrohen rrahjeve brutale, dhunës seksuale, pozicioneve stresuese dhe privimit nga gjumi.
Po ashtu, ata mbahen të izoluar në kushte çnjerëzore. Vetëm javën e kaluar, u raportua se një nga të burgosurit politikë palestinezë më të njohur, Marwan Barghouti, u rrah derisa humbi ndjenjat nga rojet izraelite, të cilët i shkaktuan fraktura në 4 brinjë gjatë transferimit të tij nga burgu Rimon në burgun Megiddo në mesin e shtatorit.
Sigurisht, është e mirë-dokumentuar që këto krime që kryhen nga Izraeli nuk janë abuzime të vetme me pushtetin nga individë, por janë sistematike dhe shumë të përhapura. Kampet ushtarake famëkeqe Sde Teiman dhe Anatot, janë de fakto vende torture për të burgosurit palestinezë nga Gaza, ku janë kryer tortura të paimagjinueshme.
Gjatë gjithë paraburgimit të tyre, përveç kohës kur bëjnë dush ose flenë, të burgosurit mbahen në pozicione stresuese, me pranga dhe me sytë e lidhur. Po ashtu, ata merren në pyetje për ditë të tëra, ndonjëherë edhe javë dhe durojnë forma jashtëzakonisht të dhunshme torture, privim nga gjumi dhe ndonjëherë edhe tortura seksuale.
Të paraburgosurit, kanë treguar se midis seancave të marrjes në pyetje, janë çuar në dhoma pa dritare dhe me muzikë të lartë 24 orë pa ndërprerje për na të shtata ditët e javës, ndërsa qëndrojnë atje me sytë e lidhur dhe të prangosur me zinxhirë. Siç mund të pritej, që nga 7 tetori 2023
të paktën 77 palestinezë janë vrarë ose kanë vdekur ndërsa mbaheshin në paraburgim nga izraelitët.
Nuk ka drejtësi
Ndërsa shkeljet e shumta të kryera nga Izraeli ndaj të burgosurve palestinezë janë dokumentuar shumë mirë për dekada nga organizatat palestineze dhe ndërkombëtare, ushtarët pushtues izraelitë, oficerët e policisë, rojet e burgut dhe hetuesit e shërbimit të sigurisë që i kryejnë këto krime, vazhdojnë të gëzojnë pandëshkueshmëri të plotë.Sipas Komitetit Publik Kundër Torturës në Izrael (PCATI), ndërsa më shumë se 1.400 ankesa për torturë nga hetuesit e ISA-s i janë paraqitur Ministrisë izraelite të Drejtësisë që nga viti 2001, janë hapur vetëm 3 hetime penale, dhe të gjitha çështjet janë mbyllur pa asnjë aktakuzë.
Arrestimet arbitrare thuajse 60-vjeçare të burrave, grave dhe fëmijëve palestinezë, si dhe krimet e kryera kundër tyre referuar shkeljes së të gjitha konventave ndërkombëtare, kanë shërbyer qartazi si bazë për pushtimin e vazhdueshëm të Izraelit, projektin e tij të kolonizimit dhe gjenocidin e vazhdueshëm.
Në fakt, vuajtjet e të burgosurve palestinezë, vetëm sa nxjerrin akoma më shumë në pah thellësinë e brutalitetit të pushtuesit, i cili ka qenë gjithmonë mët i dukshëm brenda regjimit të tij shtypës. Për këtë arsye, të burgosurit palestinezë duhet të vendosen në qendër të mbrojtjes dhe solidaritetit të organizuar global.
Kjo duhet të jetë një çështje kyçe, e cila duhet ngritur brenda diskurseve diplomatike, të medias dhe madje edhe përpjekjeve për vendosjen e drejtësisë. Tek e fundit, të burgosurit palestinezë janë thelbësorë për çlirimin dhe pavarësinë e Palestinës, dhe anashkalimi ose shpërfillja e një realiteti të tillë e minon mbështetjen ndërkombëtare.
Lufta për drejtësi nuk mund të ndahet në fragmente. Ajo çfarë ndodh në Gaza, Bregun Perëndimor dhe brenda mureve të burgjeve, janë që të gjitha elementë të një sistemi të vetëm dhe të unifikuar kolonizimi, shtypjeje dhe shfarosjeje të jetës palestineze ngha ana e Izraelit.
Shënim: Zoé Paris, është një juriste franceze, eksperte në të drejtën ndërkombëtare dhe drejtësinë tranzicionale. Ajo ka punuar me organizata bazë në Irak, Francë dhe Palestinë për të mbështetur të mbijetuarit e mizorive masive, përfshirë të burgosurit politikë dhe të mbijetuarit e torturave.