Lindja e Mesme që ka krijuar I.zraeli
Pse Uashingtoni do të pendohet për kostot e agresionit izraelit
Nga Galip Dalay & Sanam Vakil “Foreign Affairs”
Vendet e Lindjes së Mesme, po e shohin gjithnjë e më shumë Izraelin si kërcënimin e tyre të ri të përbashkët. Lufta e Izraelit në Gaza, politikat ushtarake ekspansioniste dhe qasja e tij revizioniste, po e ndryshojnë rajonin në mënyra që pakkush i kishte parashikuar.
Sulmi izraelit i muajit të kaluar ndaj udhëheqësve politikë të Hamasit në Katar -vendi i shtatë i goditur nga Izraeli që nga sulmet e 7 tetorit 2023, përveç territoreve palestineze - i ka tronditur shtetet e Gjirit dhe ka hedhur dyshime mbi besueshmërinë e ombrellës së sigurisë së SHBA-së.
Gjatë 2 viteve të fundit, udhëheqësit izraelitë kanë përshëndetur vrasjen e udhëheqjes së Hezbollahut në Liban, sulmet e tyre të përsëritura ndaj objektivave në Jemen dhe goditjen e Iranit. Por në vend se të konsolidonin pushtetin izraelit apo të përmirësonin marrëdhëniet me shtetet arabe, që kanë qenë prej kohësh të shqetësuara ndaj Iranit dhe përfaqësuesve të tij, këto veprime po sjellin efektet e kundërta.
Shtetet që dikur e konsideronin Izraelin si një partner të mundshëm, përfshirë monarkitë e Gjirit, e perceptojnë tani si një aktor të rrezikshëm dhe të paparashikueshëm. Në fillim të kësaj jave, presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftuan një “plan paqeje” të ri me 20 pika, duke e cilësuar atë si një përparim të madh dhe si një mjet për rikthimin e stabilitetit në rajon.
Por perspektivat e këtij plani janë të zbehta, për sa kohë që Izraeli vazhdon të sillet në mënyrë agresive dhe i shpërfill kërkesat dhe shqetësimet legjitime të palestinezëve. Edhe pse një grup udhëheqësish në rajon e kanë mirëpritur njoftimin, plani duket se nuk ka gjasa që të zhbëjë dëmin e shkaktuar gjatë dy viteve luftë.
Përpara sulmeve të tetorit 2023, Izraeli, krahas mbështejes së fortë amerikane, shpresoi ta riformatonte rajonin në avantazhin e tij, duke e paraqitur veten si një partner për qeveritë arabe dhe mënjanuar akoma më shumë rivalët, veçanërisht Iranin.
Tani, Izraeli vetëm sa e ka izoluar veten, i ka bërë shtetet arabe të ngurrojnë të përballen me koston e rënda në imazh dhe ato politike nga bashkëpunimi me të, dukei shndërruar ish-partnerët në kundërshtarë vigjilentë ndaj sjelljeve të Tel Avivit.
Shumë vende në rajon, po kundërpërgjigjen ndaj agresionit izraelit duke diversifikuar partneritetet e tyre të sigurisë, investuar në autonominë e tyre dhe duke iu larguar normalizimit të raporteve me Izraelin.Një mori projektesh që synonin ta afronin akoma më shumë Izraelin me vendet arabe - kryesisht me ndihmën e SHBA-së, Indisë dhe vendeve evropiane - ka të ngjarë që të lihen pas dore. Dhe ky është një lajm i keq jo vetëm për Izraelin, por edhe për Shtetet e Bashkuara.
Mbështetja e pakursyer amerikane për Izraelin, po e dëmton pozicionin e Uashingtonit në rajon. Ndërsa dikur kërcënimi që paraqiste Irani, mund t’i inkurajonte shtetet në rajon të afroheshin me linjën e SHBA-së, frika nga një Izrael agresiv po i distancon tani edhe nga Shtetet e Bashkuara.
SHBA-ja duhet të jetë e vetëdijshme për ndryshimet që po ndodhin në Lindjen e Mesme. Vetëm plani i paqes i propozuar së fundmi, nuk do të riparojë marrëdhëniet e prishura midis Izraelit dhe vendeve të rajonit.
Dhe nëse Uashingtoni refuzon të frenojë Izraelin dhe nuk kërkon një përgjigje të drejtë politike për çështjen palestineze, ai rrezikon të dobësojë lidhjet me partnerët kryesorë rajonalë dhe të humbasë ndikimin mbi rendin rajonal në ndryshim e sipër.
Nga ana tjetër, moszgjidhja e çështjes së Palestinës dhe lejimi i Izraelit që të sillet në mënyrë agresive pa u ndëshkuar, do të nxisë një valë të re radikalizmi që do të kërcënojë interesat e SHBA-së, stabilitetin rajonal dhe sigurinë globale.
Për më shumë se dy dekada, Izraeli ia doli të krijonte një kauzë të përbashkët me një numër vendesh arabe. Egjipti ishte shteti i parë arab që normalizoi marrëdhëniet me Izraelin si rezultat i marrëveshjeve të Camp David të vitit 1978. Paqja midis dy vendeve ka vazhduar për gati 4 dekada, edhe pse s’ka pasur lidhje dhe shkëmbime ekonomike të rëndësishme.
Deri vonë, Egjipti e shihte Turqinë si rivalin e tij kryesore në Mesdheun Lindor. Raportet midis dy vendeve u përkeqësuan ndjeshëm në vitin 2013 pas rrëzimit nga pushtetit të Mohamed Morsit, presidentit të parë islamik të zgjedhur në mënyrë demokratike në Egjipt.
Turqia e mbështeti fuqimisht dhe kundërshtoi grushtin e shtetit që solli në pushtet presidentin egjiptian Abdel Fattah Al-Sisi. Rrjedhimisht, nën Sisin Egjipti nënshkroi marrëveshje dypalëshe me Izraelin dhe punoi me Izraelin brenda Forumit të Gazit të Mesdheut Lindor, një organizatë rajonale që koordinon eksplorimin e përbashkët të rezervave të gazit në det të hapur.
Përtej bashkëpunimit energjetik, Egjipti thelloi edhe koordinimin me Izraelin në fushën e sigurisë në shkretëtirën e Sinait, duke lejuar sulmet izraelite kundër grupeve militante atje dhe duke ndihmuar në menaxhimin e kufirit të Gazës.
Por gjithçka ndryshoi pas sulmeve të 7 tetorit 2023. Fushata ushtarake brutale e ka detyruar Kajron të ndryshojë qëndrim. Në shtator të këtij viti, Sisi e etiketoi publikisht Izraelin një vend “armik”, një ndryshim retorik domethënës krahasuar me dekada të tëra gjuhe të kujdesshme nga udhëheqësit egjiptianë.
Sisi e reduktoi ndjeshëm bashkëpunimin e në fushën sigurisë me Izraelin, teksa Egjipti dhe ish-rivali i tij, Turqia, zhvilluan një stërvitje të përbashkët detare në Mesdheun Lindor, me qëllim thellimin e bashkëpunimit të tyre në fushën e mbrojtjes.
Përpara luftës aktuale në Gaza, disa shtete të Gjirit u bashkuan në mënyrë të përkohëshme me Izraelin, pasi e konsideronin Iranin si kërcënimin kryesor për sigurinë e tyre. Sjelljet problematike të Iranit në rajon, përfshirë krijimin dhe mbështetjen e grupeve të armatosura në Irak, Liban, Siri dhe Jemen dhe ambiciet e tij bërthamore, e bënë bashkëpunimin midis monarkive të Gjirit dhe Izraelit të dukej si një zgjedhje të përshtatshme.
Por sot po bie logjika e normalizimit të raporteve me Tel Avivin. Doktrina e re mbrojtëse e Izraelit, e cila e nxit atë të shkelë sovranitetin e shteteve të tjera sipas dëshirës, po i bën pothuajse të gjitha shtetet në rajon të ndihen të pasigurta.
Lufta shkatërruese në Gaza, zgjerimi i vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor (shpesh i justifikuar përmes retorikës fetare), qasja pa kompromis e Izraelit ndaj Libanit, sulmet e tij të përsëritura në Siri dhe ndërhyrja në territorin sirian, e kanë shndërruar ruajtjen e lidhjeve formale me Izraelin në një barrë të madhe politike dhe strategjike për qeveritë arabe.
Në fakt, veprimet izraelite kanë provokuar një zemërim të tillë në të gjithë botën arabe, saqë çdo formë e lidhjes së dukshme me Izraelin është bërë një kërcënim i drejtpërdrejtë për legjitimitetin dhe sigurinë e regjimeve.
Sipas një sondazhi të fundit nga grupi kërkimor, Arab Barometer, mbështetja publike për normalizimin me Izraelin mbetet jashtëzakonisht e ulët në të gjithë rajonin. Asnjë vend nuk e tejkalon normën 13 përqind të mbështetjes, dhe në Marok ajo ka rënë nga 31 përqind në vitin 2022 në vetëm 13 përqind në vitin 2023 pas sulmeve të 7 tetorit.
Pra Izraeli, dikur i imagjinuar nga disa politikëbërës të Gjirit Persik dhe SHBA-së si një shtyllë e mundshme e sigurisë së Gjirit, shihet tani si një pengesë dhe një kërcënim destabilizues. Edhe kthesa e Turqisë është mbresëlënëse.
Për vite me radhë, Ankaraja e dënoi trajtimin brutal të palestinezëve nga Izraeli, por nuk e trajtoi atë si një rival të drejtpërdrejtë në fushën e sigurisë. Nga ana e tij, edhe Izraeli nuk kërkoi hapur që të armiqësohej me Turqinë në çështjet gjeopolitike dhe të sigurisë.
Gjatë një përplasjeje të vitit 2020 midis Greqisë dhe Turqisë në Mesdheun Lindor, Izraeli mbajti një qëndrim shumë më pak konfrontues ndaj Turqisë sesa Egjipti dhe disa vende evropiane. Ndërkaq, gjatë luftës së vitit 2023 midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, si Izraeli ashtu edhe Turqia mbështetën ushtarakisht Azerbajxhanin.
Presidenti izraelit Isaac Herzog zhvilloi një vizitë zyrtare në Ankara në vitin 2022, dhe vetëm disa javë para 7 tetorit, presidenti turk Tayyip Erdogan dhe Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u takuan në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, duke diskutuar mbi bashkëpunimin e mundshëm energjetik në Mesdheun Lindor.
Lufta në Gaza, i ka larguar edhe më shumë dy vendet. Turqia e ka pezulluar tregtinë me Izraelin dhe e ka mbyllur hapësirën e saj ajrore për të, si ndëshkim për fushatën ushtarake izraelite në Gaza. Veprimet izraelite në Siri, e kanë alarmuar akoma më shumë Ankaranë: kufiri i saj më i gjatë tokësor është me Sirinë, dhe miliona refugjatë kanë kaluar në Turqi që nga shpërthimi i luftës civile siriane më shumë se një dekadë më parë.
Ankaraja dëshiron një fqinj të qëndrueshëm, me pushtetin qëndror të centralizuar në Damask. Ndërkohë Izraeli, ka mbështetur grupet minoritare në Sirinë Jugore, si dhe ka përparuar në territorin sirian, duke dëmtuar pozitat e qeversë së re të vendit, dhe duke nxitur përçarje dhe paqëndrueshmëri.
Ndërsa Siria po bëhet një zonë kyçe e rivalitetit gjeopolitik, Turqia e percepton tani Izraelin si një kërcënim të madh. Por revizionizmi dhe agresioni i Izraelit, po përshpejtojnë militarizimin dhe një ndryshim në strategjitë e mbrojtjes në mbarë rajonin.
Shtetet po nxjerrin mësime nga këto dy vite konflikt, përfshirë performancën e dobët të armëve ruse në konfliktin Iran-Izrael, dhe kufizimet politike dhe të sigurisë që vijnë nga mbështetja tek sistemet amerikane të armëve. Dhe qeveritë po mbrohen duke investuar në aftësitë vendase dhe duke diversifikuar furnizuesit e tyre.
Arabia Saudite e ka zgjeruar bashkëpunimin me Kinën për raketat dhe dronët, është përpjekur të lokalizojë më tej prodhimin e mbrojtjes, teksa kohët e fundit ka nënshkruar një pakt bashkëpunimi në mbrojtje me Pakistanin, duke sinjalizuar dëshirën e saj për partneritete alternative të sigurisë jashtë arkitekturës së sigurisë të udhëhequr nga SHBA-ja.
Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë blerë avionë luftarakë francezë dhe kanë hyrë në një partneritet të ngushtë me Korenë e Jugut për mbrojtjen nga raketat dhe energjinë bërthamore, duke forcuar kapacitetet e saj teknologjike, ndërsa po e zvogëlon varësinë e saj nga Shtetet e Bashkuara.
Katari dhe Kuvajti, kanë blerë avit luftarakë “Eurofighter” dhe “Typhoon” përkatësisht nga Britania e Madhe dhe Italia, duke u integruar më tej në rrjetet evropiane të sigurisë. Të gjitha vendet e Gjirit, po blejnë dronë turq me kosto shumë të leverdisshme.
Nga ana e saj, Turqia prezantoi në gusht sistemin e saj të integruar të mbrojtjes ajrore “Steel Dome”, i krahasueshëm me sistemin izraelit të mbrojtjes antiraketë “Iron Dome”, duke sugjeruar një ndryshim të doktrinës, në të cilin strategët turq ndihen tani të detyruar të matin kapacitetet e tyre përkundrejt atyre të Izraelit.
Për Shtetet e Bashkuara, këto dinamika kërkojnë një rivlerësim të strategjisë. Pa një korrigjim të kursit, SHBA-ja do të mbetet prapa në një rajon të përcaktuar më pak nga sfida e paraqitur nga Irani, se sa nga roli revizionist dhe shkatërrues i Izraelit.
Nëse nuk arrin të përshtatet, Uashingtoni do të përfundojë duke qenë bashkëpunëtor në prishjen e vetë arkitekturës strategjike që ka kërkuar prej vitesh të ndërtojë në Lindjen e Mesme. Ai duhet ta ankorojë më tej politikën amerikane në mbështetje të një zgjidhjeje të drejtë të çështjes palestineze.
Pikënisja, duhet të jetë përfundimi i fushatës shkatërruese të Izraelit në Gaza, parandalimi i shpopullimit të territorit, ndalimi i urisë dhe i aneksimit të Bregut Perëndimor. Nëse duan vertet të krijojnë një rend rajonal funksional dhe të besueshëm, Shtetet e Bashkuara nuk mund ta anashkalojnë gjendjen e vështirë të palestinezëve dhe të injorojnë revizionizmin izraelit.
Shënim:Shënim:Galip Dalay, këshilltar në institutin britanik “Chatham House” dhe Koordinator i Programit për Turqinë Bashkëkohore në Universitetin e Oksfordit.
Sanam Vakil, drejtoreshë e programit të Chatham House për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.