Ofensiva e re në Gaza vetëm sa do e thellojë izolimin e I.zraelit
Udhëheqësit e Izraelit, kanë frikë se po merr fund mbështetja e SHBA-së për luftën e tyre...
“The Economist”
Mbrëmjen e 15 shtatorit, Forcat Mbrojtëse të Izraelit ( IDF) nisën sulmin e tyre të ri ndaj qytetit të Gazës. “Izraeli ndodhet para një momenti vendimtar” - deklaroi të nesërmen kryeministri Benjami Netanjahu. Nën mbulesën e sulmeve ajrore dhe zjarrit të artilerisë, dy divizione u zhvendosën drejt lagjeve qendrore të qytetit.
Dy të tjera po mbahen në rezervë. Për momentin, shumica e trupave të IDF mbeten në periferi të qytetit. Ato e kanë rrethuar qytetin në tri anë, duke lënë të lirë vetëm pjesën perëndimore, në rrugën bregdetare të Mesdheut, që civilët të zhvendosen drejt jugut.
Megjithatë shumica e banorëve të qytetit nuk po largohen, duke rrezikuar një tjetër kapitull brutal në një luftë që po zgjat prej gati 2 vjetësh. Izraeli i ka urdhëruar palestinezët të zhvendosen në “zonat humanitare” më në jug. Midis 200.000-350.000 njerëz e kanë bërë këtë, por rreth 600.000 të tjerë mbeten ende atje.
Shumica e tyre kanë parë tashmë bombardimin e shtëpive të tyre, dhe janë zhvendosur disa herë. Pak prej tyre mund të përballojnë koston e marrjes me qira të ndonjë kamionçine, për t'i transportuar ata dhe sendet e tyre në Deir Al-Balah, 15 km larg dhe ende disi më i sigurt se qyteti i Gazës.
Çadrat me vlerë 150 shekel (45 dollarë), po shiten 20 herë më shumë. “Pas të gjitha këtyre që kanë ndodhur, unë nuk e di nëse do të shpallet ndonjë urdhër tjetër dhe do të na duhet të zhvendosemi prapë...“- thotë Hisham nën zhurmën e shpërthimeve të forta. Ish-nëpunësi i administratës civile palestineze po qëndron në qytetin e Gazës.
Në shumë aspekte, operacioni i fundit duket si një përsëritje e ofensivës së parë të madhe të luftës në Gaza. Atëherë, ashtu si tani, kolonat ushtarake izraelite shkaktuan kaos në qytetin e Gazës, ndërsa udhëheqësit e Izraelit premtuan ta zhduknin Hamasin.
Që atëherë, janë vrarë të paktën 64.000 banorë të Gazës, shumica civilë, gra dhe fëmijë. Po kështu, ka ndodhur edhe me pothuajse të gjithë krerët e Hamasit. Shumica e ndërtesave të Gazës janë dëmtuar ose shkatërruar. Organizatat ndërkombëtare të ndihmës humanitare, thonë se njerëzit në shumë pjesë të territorit po vdesin nga uria.
Atmosfera ka ndryshuar edhe në Izrael. Kur Forcat Mbrojtëse të Izraelit sulmuan qytetin e Gazës 22 muaj më parë, izraelitët ishin thuajse unanimë në mbështetjen e tyre. Hamasi kishte dalë me vrull nga Gaza, duke masakruar gati 1.200 njerëz dhe duke marrë peng 250 të tjerë.
Publiku ra dakord se grupi duhej asgjësuar. Por sot ka shumë më pak mbështetje për luftën. Sondazhet e fundit, tregojnë se mbi 70 për qind e izraelitëve janë në favor të një armëpushimi në vend të vazhdimit të luftës. Këtë pikëpamje ndajnë edhe shefat e IDF-së.
Kreu i shtabit të saj, gjenerallejtënant Ejal Zamir, i ka thënë vazhdimisht kabinetit se arritja e një goditjeje vendimtare kundër Hamasit mund të zgjasë me vite, dhe ndoshta nuk është e mundur të arrihet ndonjëherë. Grupi, që tani lufton në mënyrë guerile, fshihet në qindra kilometra tunele, nga të cilat IDF ka shkatërruar vetëm një pjesë.
Gjeneral Zamir e ka pranuar se sulmi i ri në qytetin e Gazës do të rrezikojë pengjet që mbahen ende nga Hamasi, rreth 20 prej të cilëve mendohet se janë gjallë. Prandaj, ai është në favor të një armëpushimi që do t’i lironte pengjet. Shërbimi sekret izraelit mendon se rreth 3.000 luftëtarë të Hamasit kanë mbetur të fshehur në qytet për të kryer prita.
Pjesa tjetër, rreth 20.000, janë zhvendosur drejt jugut, duke minuar vetë premisën e operacionit
të ri izraelit. Kur nisi sulmi, të afërmit e pengjeve u mblodhën në protestë para shtëpisë së Netanjahut në Jerusalem. Einav Zangauker, djali i të cilit, Matan, mbahet në Gaza prej më shumë se 700 ditësh, e akuzoi kryeministrin izraelit se “ka vendosur të vrasë fëmijët tanë”.
Mosmarrëveshjet midis gjeneralëve të Izraelit dhe padronëve të tyre politikë janë të zakonshme. Por në të kaluarën, ka qenë pothuajse gjithmonë IDF-ja, ajo që ka nxitur veprime, ndërsa kabineti qeveritar ka preferuar një sjellje më të përmbajtur.
Kjo luftë është ndryshe. I vendosur që të mbajë me çdo kusht në këmbë një shumicë të dobët parlamentare, Netanjahu është i ndërvarur nga aleatët e tij të ekstremit të djathtë që duan ta pushtojnë njëherë e mirë Gazën duke dëbuar banorët e saj autoktonë.
Po ashtu, ai synon të shmangë llogaridhënien për shpërfilljen e në të kaluarën të kërcënimit nga Hamasi. Në këto kushte, mbijetesa e tij politike varet nga vazhdimi i luftës. Sulmi i ri i Izraelit në qytetin e Gazës, përkoi me publikimin e një raporti nga një panel ekspertësh i porositur nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut i Kombeve të Bashkuara, i cili e akuzon Izraelin për kryerjen e gjenocidit ndaj Gazës.
Izraeli i ka mohuar me forcë akuzat e OKB-së, por është i shqetësuar për reagimet e mundshme të aleatëve të tij perëndimorë. Franca, Britania e Madhe dhe të tjerët, pritet që në javët e ardhshme të njohin shtetin palestinez.
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian, partneri kryesor tregtar i Izraelit, kanë paralajmëruar se mund të rishikojnë marrëveshjet tregtare të bllokut me Izraelin, nëse ky i fundit vazhdon masakrat në Gaza. Të paktën për momentin, izraelitët duket se kanë ende mbështetjen e Amerikës.
Pas fillimit të operacionit, presidenti Donald Trump postoi disa kërcënime ndaj Hamasit në mediat sociale. “Të gjitha bastet tuaja janë të humbura” - shkroi ai. “Liroji tani të gjitha pengjet!”. Disa orë më herët, sekretari i tij i shtetit, Marco Rubio, ishte larguar nga Jerusalemi, nga ku deklaroi se një e ardhme më e mirë për Gazën nuk mund të arrihet “derisa të eliminohet Hamasi”.
Por mbështetja e Amerikës mund të mos zgjasë për shumë kohë. Diplomatët izraelitë besojnë se Donald Trumpit po i soset durimi. Ata thonë se Netanjahu e bindi atë, se sulmi ndaj qytetit të Gazës, do të ishte goditja përfundimtare për Hamasin.
Nëse kjo dëshmohet të jetë e pavërtetë, siç me siguri do të ndodhë, ata presin që presidenti amerikan ta detyrojë Izraelin të pranojë një armëpushim. Në vend së të sjellë fitoren, duket se sulmi i fundit është i destinuar vetëm të thellojë më tej vuajtjet e banorëve të Gazës dhe ta bëjë Izraelin edhe më të izoluar.