Lidhje


Presidentja e BQE: Euro mund të bëhet alternativë ndaj dollarit

Euro mund të bëhet një alternativë e qëndrueshme ndaj dollarit, duke i sjellë Bashkimit Europian përfitime të mëdha, nëse qeveritë do të mund të forconin strukturën financiare dhe të sigurisë së bllokut, tha Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde.

 

Të shqetësuar nga politika ekonomike e paqendrueshme e SHBA-së, investitorët globalë kanë zvogëluar ekspozimin e tyre ndaj aseteve në dollarë në muajt e fundit, por shumë prej tyre kanë zgjedhur arin në vend të tij, duke mos parë një alternativë të drejtpërdrejtë.

 

Në fakt, roli global i euros ka mbetur i pandryshuar për dekada të tëra, pasi institucionet financiare të Bashkimit Europian mbeten të papërfunduara dhe qeveritë kanë treguar pak interes për t’u angazhuar në më shumë integrim.

 

“Ndryshimet e vazhdueshme krijojnë mundësinë për një moment global të euros, tha Lagarde në një leksion në Berlin. “Euro nuk do të fitojë ndikim automatikisht – do t’i duhet ta fitojë atë.”

 

Për këtë, Europa ka nevojë për një treg kapitali më të fortë dhe më likuid, duhet të forcojë themelet ligjore dhe duhet të mbështesë angazhimin e saj për tregti të hapur me aftësi të sigurta, argumentoi Lagarde.

 

Roli i dollarit ka qenë në rënie për vite me radhë dhe tani përbën 58% të rezervave ndërkombëtare, niveli më i ulët në dekada, por ende shumë mbi pjesën 20% të euros.

 

Çdo rol i shtuar për euron duhet të përkojë me një forcë më të madhe ushtarake, që mund të mbështesë partneritetet, tha Lagarde.

 

“Kjo ndodh sepse investitorët – dhe veçanërisht investitorët zyrtarë – kërkojnë gjithashtu siguri gjeopolitike në një formë tjetër: ata investojnë në asetet e rajoneve, që janë partnerë të besueshëm”, tha Lagarde.

 

Europa gjithashtu duhet ta bëjë euron monedhën e preferuar për bizneset që janë të përfshira në tregtinë ndërkombëtare, tha ajo. Kjo mund të mbështetet duke krijuar marrëveshje të reja tregtare, pagesa të zgjeruara ndërkufitare dhe me marrëveshje likuiditeti me BQE-në.

 

Megjithatë, tha Lagarde, reformimi i ekonomisë vendase mund të jetë më urgjent. Tregu i kapitalit të zonës së euros është ende i fragmentuar, joefikas dhe i mungon një treg me të vërtetë likuid, i disponueshëm gjerësisht për investitorët e aseteve të sigurta, ku investitorët mund të mblidhen, tha ajo.

 

“Logjika ekonomike na tregon se të mirat publike duhet të financohen bashkërisht. Dhe ky financim i përbashkët mund të ofrojë bazën, që Europa të rrisë gradualisht furnizimin me asete të sigurta.”

 

Huamarrja e përbashkët ka qenë një tabu për disa anëtarë kryesorë të Eurozonës, veçanërisht Gjermaninë, e cila ka frikë se taksapaguesit e saj mund të përfundojnë duke u detyruar të paguajnë për papërgjegjësinë fiskale të të tjerëve.

 

Nëse Europa do të kishte sukses, përfitimet do të ishin të mëdha, tha Lagarde. Fluksi i investimeve do t’u lejonte aktorëve vendas të merrnin hua me kosto më të ulët, do ta izolonte bllokun nga ndryshimet e kursit të këmbimit dhe do ta mbronte atë nga sanksionet ndërkombëtare. / Reuters/ Monitor

 

XS
SM
MD
LG