Rama nuk kuptoi asgjë nga protesta, qytetarët kërkojnë një Shqipëri pa Rilindjen
Nga Andi Bushati
Në një përpjekje të gjatë për të treguar se e ka përthithur thelbin e “flamingove të bulevardit”, Edi Rama e ka humbur krejtësisht shënjestrën. Teza kryesore e paktit të tij të besës me qytetarët ka qenë se duhet ta ndryshojë katërcipërisht qeverisjen dhe PS-në pasi përgjatë tre mandateve Rilindja na ka dhuruar një Shqipëri aq të transformuar, sa bashkë me të ka revolucionrizur edhe pritshmëritë e publikut. Njerëzit falë nesh nuk mendojnë më të keqen më të vogël, por kërkojnë: “ka dhe më mirë”. Ne e futëm vendin në “epokën e pritshmërive”, tha pak a shumë ai, duke shpallur se protesta gati dy mujore mbylli një periudhë dhe hapi një tjetër.
Për të argumentur idenë e tij se “sukseset” e udhëheqjes së tij e kanë ngritur stekën e kërkesave, ai bëri një enumercion të gjatë të transformimeve të qeverisjes 13 vjeçare: reformën në drejtësi që po dënon zyrtarë të lartë; varrosjen e kohës së radhave në sportele për çertifikata; rikthimin e dritave që dikur as nuk paguheshin dhe ndryshimin e qëndrave të qyteteve. Po ta dëgjoje, të dukej sikur po përjetoje një “deja vue” të Sali Berishës, në fund të pushtetit, në 2013. Edhe ai fliste për 12 mijë KM rrugë, bashkimin e kombit përmes një autostrade, ruajtjen e financave në sfondin e një krize ekonomike globale, heqjen e vizve dhe anëtrësimin në NATO. Por pavarësisht nga këto, me plot “1 miljonë shuplaka”, votuesit i thanë mjaftë më. Sepse kur është boll, është boll.
Në këtë pikë ka mbërritur edhe Rama sot, njërëzit janë të ngopur, të lodhur, të neveritur me këtë autokrat të plakur.
Kjo duket më së miri në slloganet më pikante të protestës: “Ju erdhi fundi”, “Rama jepe dorëheqjeeeeeen” dhe kërkesën për një “Shqipëri të re”.
Por, kjo ligjësi, sa e natyrës po aq e politikës, për të qenë në kërkim të së resë, nuk është fabula që sot po rënon Edi Ramën. Ai ose nuk ka kuptuar asgjë, ose thjesht manipulon me thelbin e mesazhit të atyre mbi 100 mijë njerëzve, që u derdhën në bulevard dhe e qindra mijra të tjerëve që i mbështetën nga larg. Ata nuk janë thjeshtë të velur nga stanjacioni, të ngopur nga arritjet, të mërzitur nga ritmet jo aq të larta të zhvillimit. Jo, jo dhe jo!
Thelbi i këtij revolucioni është krejt i ndryshëm. Në vend që të vidhet më pak, ata kërkojnë përmbysjen e një modeli ekonomik. Në vend të reflektimit hipokrit, ata kërkojnë një qeverisje që mos i ndajë pasuritë kombëtare në 4-5 duar. Në vend të shifrave të sukseseve, ata kërkojnë më shumë shance të barabarta. Në vend të një pushteti të personalizuar, ata kërkojnë më shumë liri në vendimarrje. Në vend të hosanave për një lider global, që herë shitet si kandidat për kryesimin e Natos, herë si negociator për të pajtuar Turqinë me Greqinë, e herë si një akrobat që na futi në Bordin e Paqes, duan një administrator të përunjur e me fytyrë njerëzore, pa çarter privat e pa vera 33 mijë euroshe.
Ata kërkojnë një sistem të ndershëm konkurimi politik, pa kryetarë partish që vendosin gjithçka, pa vende pune që i përcaktojnë patronazhistët, pa bashibozukë që kërcënojnë arsimtarët: “Po s’na votuat ne mos u paraqisni të hënën në punë”.
Ata kërkojnë një ashansor social, ku karierrat ti vendosë suksesi dhe shkollimi dhe jo modelet e promovuara nga krimi si Sara Mile e Zeqineja.
Kjo është ëndrra për Shqipërinë e re. Ajo e një modeli katërcipërisht të kundërt, nga ai që Edi Rama ka aplikuar gjatë kësaj dekade. Në thelb ajo është një lëvizje armiqësore me trashigiminë e Ramës. Prandaj të përpiqesh ta vizatosh atë si një reagim që u provokua nga sukseset që rritën pritshmërinë gjatë epokës së rilindjes do të thotë ta presësh atë në besë.