Rama “e dredh” sërish – Nga dashuria për Izraelin & Netanyahun, te Kanye West antisemit e nazist
Edi Rama e ka kthyer sërish Shqipërinë në skenë. Këtë herë jo vetëm për muzikë, turizëm apo një koncert gjigant, por për një kontradiktë të madhe politike dhe morale: i njëjti kryeministër që në janar 2026 shkoi në Izrael, u prit miqësisht nga Benjamin Netanyahu dhe mbajti në Knesset një fjalim pompoz për krenarinë shqiptare të shpëtimit të hebrenjve gjatë Holokaustit, sot po i hap derën në Tiranë Kanye West, një prej artistëve më të kontestuar në botë për deklarata antisemitike, lavdërime për Hitlerin, simbole naziste dhe teori konspirative kundër hebrenjve.
Pyetja nuk është nëse Kanye West është artist i madh, as nëse Shqipëria duhet të organizojë evente ndërkombëtare. Pyetja është shumë më e rëndë: me kë është realisht Rama? Me kujtesën historike shqiptare? Me hebrenjtë, kur i duhen për fjalime në Knesset dhe kur i duhet Netanyahu si aleat? Apo thjesht me çdo spektakël që i shërben pushtetit, propagandës dhe imazhit të tij personal?
Kur Rama vizitoi Izraelin në 26 janar të këtij viti, Netanyahu ishte politikisht dhe diplomatikisht i izoluar për shkak të akuzave për krime lufte dhe gjenocidit në Gaza. Pikërisht atëherë, Rama i dha një fotografi miqësore, një vizitë zyrtare dhe një fjalim në Knesset, ku kryefjala ishte historia e shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai foli për Besën, moralin shqiptar dhe hebrenjtë e mbrojtur nga shqiptarët, duke ia kthyer këtë histori Netanyahut në një komerdare diplomatike në kohën më të errët të Izraelit.
Por pak muaj më vonë, e njëjta Shqipëri, nën të njëjtën qeveri, po përgatitet të presë më 11 korrik Kanye West në Tiranë. Koncerti është paralajmëruar si një nga eventet më të mëdha muzikore në vend, në një strukturë të përkohshme të quajtur “Eagle Stadium”, në Kashar, përgjatë aksit Tiranë–Durrës, me kapacitet rreth 60 mijë spektatorë. Biletat janë raportuar se nisin nga 99 euro, ose rreth 9500 lekë, ndërsa qeveria e shet eventin si triumf turistik dhe ekonomik.
Problemi është se Kanye West nuk është thjesht “kontrovers”. Ai ka prodhuar gjatë viteve të fundit një seri deklaratash dhe veprimesh të dënuara si antisemitike nga organizata hebraike, media ndërkombëtare, kompani, platforma dhe festivale. Ai ka folur për “kontroll hebre” mbi median, biznesin dhe financat; ka bërë postimin famëkeq “death con 3” ndaj hebrenjve; ka lavdëruar Hitlerin dhe nazistët; ka përdorur apo shpërndarë simbole naziste; dhe është kthyer në figurë të përdorur nga ekstremistët me slogane të tipit “Kanye is right”.
Disa vende dhe festivale në Evropë e kanë refuzuar, anuluar ose vështirësuar pritjen e tij e rrjedhimisht kur një artist me këtë barrë vendoset në skenën më të madhe të Shqipërisë, kjo bëhet edhe deklaratë politike. Në Izrael, historia shqiptare me hebrenjtë u përdor si medalje morale. Në Shqipëri, e njëjta histori relativizohet përballë tundimit të një koncerti gjigant, që mund të kthehet në foto, video, marketing, turizëm dhe propagandë.
Për Edi Ramën, historia përdoret sipas nevojës së momentit. Kur i duhet të duket burrë shteti në Izrael, flet për hebrenjtë, Besën dhe Holokaustin. Kur i duhet të duket modern, global dhe i guximshëm në Tiranë, sjell Kanye West dhe e quan event historik. Kur i duhet diplomaci, bëhet moralist. Kur i duhet spektakël, bëhet pragmatist. Kur i duhet Netanyahu, kujton hebrenjtë. Kur i duhet turizëm dhe propagandë, harron antisemitizmin e Kanye West.
Në fakt, koncerti i Kanye West është pasqyra perfekte e mënyrës si Rama qeveris me imazh: një emër i madh, një skenë e madhe, një narrativë e madhe, një premtim i madh ekonomik dhe shumë pak përgjigje për pyetjet e vështira. Kush fiton realisht? Kush e organizon? Sa kushton infrastruktura publike rreth eventit? Sa nga të ardhurat mbeten realisht në ekonominë shqiptare? Dhe pse duhet Shqipëria të marrë përsipër një rrezik reputacional që vende të tjera nuk duan ta marrin? Në thelb Rama nuk mbron as kujtesën shqiptare, as hebrenjtë, as palestinezët, as imazhin e Shqipërisë. Ai mbron vetëm spektaklin dhe interesin e vet personal.