“Korrupsioni alarmant!” – Klodian Braho trondit KLP: 45.4 milionë euro të sekuestruara, paralajmëron goditje të reja
Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodian Braho, ka raportuar këtë të hënë para Këshillit të Lartë të Prokurorisë mbi punën e SPAK për vitin 2025, duke paraqitur një bilanc të fortë me shifra të rënda për korrupsionin, krimin e organizuar dhe pasuritë e sekuestruara.
Në raportimin e tij, Braho e bëri të qartë se korrupsioni në Shqipëri mbetet një problem serioz dhe i përhapur, duke theksuar se ai vazhdon të prekë zyrtarë në disa nivele dhe fusha të administratës publike.
“Korrupsioni mbetet shqetësues”, deklaroi kreu i SPAK, ndërsa bëri me dije se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 220 çështje korrupsioni, nga 186 që ishin më parë, duke treguar një rritje të ndjeshme të procedimeve.
Sipas tij, nga 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të hetuar, gjysma janë dërguar në gjykatë, ndërsa 10 prej tyre janë dënuar me vendim të formës së prerë.
Braho raportoi se gjatë vitit 2025, SPAK ka hetuar gjithsej 870 procedime penale, ndërsa vendimet e fajësisë përbëjnë 87% të totalit, një shifër që sipas tij reflekton rritjen e efikasitetit të institucionit.
Një nga pikat më të forta të raportimit ishte goditja financiare ndaj krimit.
Sipas Brahos, vlera totale e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara gjatë vitit 2025 ka arritur në 45.4 milionë euro, ku përfshihen edhe kriptovalutat.
Ai bëri me dije se vetëm nga ndjekja e parave paralelisht me hetimin penal janë bllokuar mbi 24 milionë euro, ndërsa pjesë e kësaj shifre janë edhe 12.4 milionë euro kriptovaluta, ose rreth 14.5 milionë dollarë.
Sa i përket dosjeve që lidhen me zyrtarë të lartë, Braho deklaroi se vlera e pasurive të sekuestruara arrin në 1.1 milionë euro, ndërsa konfiskimet për këtë kategori kanë qenë rreth 100 mijë euro.
Në raport u theksua gjithashtu se hetimet proaktive janë rritur ndjeshëm. Nga 19.8% që ishin në vitin 2024, ato kanë shkuar në 37% gjatë vitit 2025, duke reflektuar një qasje më agresive të SPAK në ndjekjen e rasteve pa pritur vetëm kallëzime apo denoncime.
Braho foli edhe për masat e sigurisë, duke nënvizuar se SPAKka ulur ndjeshëm përdorimin e masës “arrest në burg”, duke e konsideruar atë si mjetin e fundit dhe jo si praktikë automatike.
Sipas tij, kjo masë ka pësuar rënie me 53.4%.
Për veprat e korrupsionit, arresti me burg përbën vetëm 3.45% të totalit të personave nën hetim, nga rreth 5% që ishte një vit më parë. Ndërsa për krimin e organizuar kjo masë zë 21.4%, nga rreth 31% në vitin 2024.
Një tjetër çështje që u ngrit gjatë seancës ishte ngarkesa e madhe e prokurorëve të SPAK.
Braho pranoi se ngarkesa është e lartë dhe pritet të rritet më tej, por theksoi se numri aktual prej 20 prokurorësh konsiderohet i mjaftueshëm për momentin, me kusht që të forcohet mbështetja hetimore.
Ai njoftoi se shumë shpejt do të nisë rekrutimi i 40 hetuesve të rinj në Byronë Kombëtare të Hetimit, si dhe është përfunduar procesi për 10 oficerë të Policisë Gjyqësore, të cilët sipas tij do të ndihmojnë në përshpejtimin dhe cilësinë e hetimeve.
Në fokus ishte edhe çështja e mandatit të prokurorëve dhe ndikimi që zëvendësimi i tyre mund të ketë në hetimet sensitive.
Braho paralajmëroi se ritmi i hetimeve nuk do të bjerë, por pranoi se cilësia mund të ndikohet për shkak të eksperiencës së ndryshme mes prokurorëve që largohen dhe atyre që vijnë.
“Është tjetër gjë kur heton një prokuror që e njeh dosjen dhe tjetër kur vjen dikush në ditën e parë përballë krimit të organizuar”, u shpreh ai.
Në fund të raportimit, kreu i SPAK dha edhe një mesazh të fortë politik, duke paralajmëruar se retorika publike kundër SPAK mund të krijojë klimë të rrezikshme dhe të nxisë sulme nga grupet kriminale ndaj prokurorëve dhe institucionit.
Ai theksoi se SPAK do të vijojë hetimet vetëm mbi bazën e provave dhe jo nën presion politik, duke insistuar se askush nuk do të jetë mbi ligjin.
Raportimi i sotëm në KLP vjen në një moment kur SPAK ndodhet në qendër të debatit politik dhe institucional, me hetime që prekin figura të rëndësishme të pushtetit dhe opozitës, ndërsa pritshmëritë publike për goditje reale ndaj korrupsionit mbeten më të larta se kurrë.