Lidhje


Emisari i Trump në Tiranë, mesazh i fortë Ramës: NATO kërkon më shumë para për mbrojtjen dhe rol kyç për Shqipërinë

 

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku u takua me kryeministrin Edi Rama, ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi dhe ministrin e Financave Petrit Malaj, duke përcjellë një mesazh të fortë nga presidenti amerikan Donald Trump mbi rritjen e barrës së mbrojtjes në kuadër të Aleancës.


Ambasada amerikane në Tiranë bëri të ditur se Whitaker theksoi nevojën që Shqipëria të zbatojë plotësisht angazhimin për të arritur 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për shpenzimet e mbrojtjes, sipas angazhimeve të Konventës së Hagës.


“Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker, vizitoi sot Shqipërinë, duke përcjellë mesazhin e fortë të Presidentit Trump mbi zhvendosjen e barrës së mbrojtjes së NATO-s në takimet me Kryeministrin Edi Rama, Ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi dhe Ministrin e Financave Petrit Malaj. Shqipëria ka qenë një aleate e palëkundur e NATO-s, një lidere rajonale në sigurinë kibernetike dhe një anëtare themeluese e Bordit të Paqes. Ne mund të bëjmë edhe më shumë me zbatimin e plotë nga Shqipëria të angazhimit prej 5% të PBB-së për Shpenzimet e Mbrojtjes sipas Konventës së Hagës”, thuhet në postimin e ambasadës.


Gjatë vizitës, Whitaker dhe ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi fluturuan mbi Bazën Ajrore të Kuçovës, e cila është rinovuar përmes fondeve të NATO-s, ku diskutuan aftësinë e Shqipërisë për t’u kthyer në një nyjë logjistike të Aleancës në rajon përmes investimeve strategjike në Korridorin VIII.


Sipas ambasadës amerikane, fokusi i bisedimeve ishte edhe mënyra se si Shqipëria mund të rrisë më tej sigurinë rajonale përmes shtimit të investimeve në mbrojtje dhe forcimit të bashkëpunimit me aleatët.


Nga ana e tij, ministri Nufi theksoi rëndësinë strategjike të partneritetit të fortë mes Shqipërisë dhe SHBA-së, të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta dhe interesa të përbashkëta në sigurinë rajonale.


“Shqipëria mbetet e angazhuar për paqe dhe stabilitet në rajon e më gjerë; me këtë frymë diskutuam për nevojën e bashkëpunimit më të ngushtë mes aleatëve përballë sfidave”, shkroi Nufi në rrjetet sociale.


Ai shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur që Shtetet e Bashkuara i japin Shqipërisë në forcimin e partneritetit strategjik në rajon.
Një tjetër ndalesë e Whitaker ishte edhe Ambasada Amerikane në Tiranë, ku ai u njoh me marinsat amerikanë dhe punonjësit amerikanë e shqiptarë që kanë shërbyer në operacionet e NATO-s në Afganistan dhe Irak.


“Patëm kënaqësinë të mirëprisnim në ambasadën tonë Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker, dhe ta prezantonim atë me Marinsat tanë dhe punonjësit amerikanë dhe shqiptarë që kanë shërbyer në operacionet e NATO-s në Afganistan dhe Irak. Ne e vlerësojmë partneritetin mes vendeve tona në mbrojtje të vlerave tona të përbashkëta”, thuhet në një tjetër postim të ambasadës.


Vizita e Whitaker vjen në një moment kur NATO po rrit presionin ndaj vendeve anëtare për të shtuar kontributet në mbrojtje dhe kur Shqipëria po synon të forcojë rolin e saj si faktor strategjik në sigurinë rajonale dhe infrastrukturën ushtarake të Aleancës.

XS
SM
MD
LG