Si flisnin shqiptarët në antikitet? Zvicra ndan 1 milion euro për të zbuluar rrënjët e gjuhës shqipe
Universiteti i Baselit e ka zgjedhur një fotografi të portës juglindore të qytetit ilir Amantia për të njoftuar mbi një projekt kërkimor mbi gjuhën shqipe.
Siç bëhet me dije, projekti është financuar nga Fondi Kombëtar i Zvicrës për Shkencën (SNSF) dhe bart titullin “Gjuha Shqipe në Antikitet”.
Projekti ka nisur në tetor të vitit 2022 dhe pritet të përmbyllet në shtator të këtij viti.
Qëllimi i projektit është të përcaktojë se si kanë folur paraardhësit e shqiptarëve në antikitet. Ose, siç nënvizohet në përshkrim, projekti synon të përcaktojë se si dukej pararendësja e gjuhës shqipe në antikitet dhe ku mund të jetë folur kjo pararendëse.
“Ky projekt është frymëzuar nga puna e vazhdueshme e kolegëve të ndryshëm mbi përshkrimin gramatikor të teksteve të shqipes së vjetër dhe puna aktuale mbi etimologjinë e shqipes”, shkruan gazetari Enver Robelli.
