Lidhje


Ligji për portet turistike, delegacioni i BE: Legjislacioni ynë kërkon procedura transparente për dhënien e koncesioneve

 

Delegacioni i Bashkimi Evropian në Tiranë ka reaguar lidhur me ndryshimet e fundit në ligjin “Për portet turistike në Republikën e Shqipërisë”, të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë.

 

Në reagimin e tij, delegacioni thekson se është në dijeni të miratimit të këtyre ndryshimeve dhe se ato do t’i nënshtrohen një vlerësimi të detajuar nga shërbimet përkatëse të BE-së, veçanërisht në aspektin e prokurimit publik dhe përputhshmërisë me legjislacionin europian.

 

Sipas BE-së, kuadri ligjor i unionit kërkon procedura transparente dhe konkurruese për dhënien e koncesioneve, përfshirë edhe në sektorin e porteve turistike.

 

Gjithashtu, në reagim theksohet se teksti i ri përfshin elementë të ngjashëm me ato të ligjit për Investitorët Strategjikë, një ligj që Shqipëria pritet ta shfuqizojë në kuadër të angazhimeve të saj në procesin e integrimit.

 

Delegacioni i BE-së nënvizon se Shqipëri duhet të shmangë çdo hap që bie ndesh me këto angazhime, të cilat lidhen me Agjendën e Reformave dhe përmbushjen e kushteve për mbylljen e Kapitullit 27 në negociatat për anëtarësim.

 

Reagimi i plotë i Delegacionit të BE:

 

Ne jemi në dijeni se Parlamenti miratoi ndryshime në Ligjin “Për portet turistike në Republikën e Shqipërisë”. Ndryshimet do të duhet të vlerësohen nga afër nga shërbimet tona, veçanërisht në fushën e prokurimit publik dhe përputhshmërinë e tyre me legjislacionin e BE-së, i cili kërkon procedura transparente dhe konkurruese për dhënien e koncesioneve, përfshirë edhe për portet.

 

Gjithashtu kuptojmë se teksti i ri përfshin dispozita të pranishme në Ligjin për Investitorët Strategjikë. Ky është një ligj që Shqipëria pritet ta shfuqizojë si pjesë e hapave të Agjendës së Reformave dhe në kuadër të kushteve përmbyllëse për Kapitullin 27. Shqipëria duhet të përmbahet nga çdo hap që bie ndesh me këto angazhime.

XS
SM
MD
LG