Lidhje


TRANSPORTI NË KOLAPS: Tirana në kaos, autobusët zhduken nga rrugët – operatorët paralajmërojnë bllokim total!

 

Pas thirrjeve të vazhdueshme për subvencione për të përballuar rritjen e çmimeve të karburantit, të cilat nuk morën përgjigje nga institucionet, shoqatat e transportit publik kanë ndërmarrë masa drastike që kanë sjellë kaos në lëvizjen e qytetarëve në të gjithë vendin. Duke filluar nga data 15 prill, operatorët kanë reduktuar me 40% numrin e autobusëve në Tiranë dhe flotën e mjeteve në rrethe, përfshirë autobusët dhe furgonat, si një masë emergjente për të përballuar kostot në rritje.

 

Në orët e para të mëngjesit, kjo situatë u reflektua menjëherë në terren, ku pothuajse në të gjithë vendin u vërejt bllokim i lëvizjes me transport publik. Në Tiranë, nga rreth 200 autobusë që operojnë në afro 50 linja transporti, dolën në qarkullim vetëm 115 mjete. Mungesa e autobusëve krijoi radhë të gjata në stacione dhe rriti ndjeshëm kohën e pritjes për qytetarët, e cila sipas tyre ka qenë pothuajse dyfish më e gjatë se zakonisht. Ndërkohë, në rrethe situata paraqitet edhe më e rënduar, pasi sipas shoqatave të transportit publik, reduktimi i mjeteve ka arritur deri në 60%.

 

Në total, në të gjithë vendin funksionojnë rreth 450 linja të rregullta të transportit publik, një shërbim që ofrohet nga rreth 250 operatorë, të cilët tashmë paralajmërojnë për përshkallëzim të mëtejshëm të situatës nëse institucionet nuk reagojnë. Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetës, Kostandin Foni, deklaroi se operatorët nuk garantojnë vijueshmërinë e transportit as për ditët në vijim, duke theksuar se reduktimi mund të thellohet edhe më tej.

 

Sipas tij, “të gjithë operatorët, si në Tiranë dhe në rrethe janë të vendosur për reduktim të mëtejshëm të shërbimit dhe përshkallëzim në rast të mos reagimit. Në disa rrethe ditën e sotme reduktimi i mjeteve ka arritur deri në 60%. Të tjerë janë në vështirësi financiare deri në mbyllje të shërbimit. Kjo masë nuk vjen si dëshirë e operatorëve, por nga pamundësia financiare e tyre për të përballuar rritjen e kostove nga shtrenjtimi i naftës.”

 

Nga përllogaritjet e sektorit rezulton se në të gjithë vendin, operatorët e transportit publik konsumojnë rreth 850 mijë litra naftë në muaj. Pas rritjes së çmimeve, vetëm transporti qytetës përllogaritet të ketë një kosto shtesë prej rreth 800 mijë euro në muaj, një barrë që operatorët nuk mund ta përballojnë pa mbështetje. Kjo situatë vijon që prej fillimit të muajit mars, ndërkohë që ende nuk ka asnjë reagim konkret nga institucionet shtetërore për kompensimin e shtrenjtimit të naftës, një nga kërkesat kryesore për të garantuar vijueshmërinë e shërbimit.

 

Shoqatat deklarojnë se, pavarësisht kërkesave të përsëritura dhe një takimi me institucionet më 1 prill 2026, nuk është marrë asnjë masë konkrete mbështetëse. Sipas tyre, nuk është miratuar asnjë skemë kompensimi për rritjen e çmimit të karburantit, nuk ekziston një vendim zyrtar apo plan veprimi për lehtësimin e barrës financiare, nuk është dhënë asnjë afat konkret për ndërhyrje dhe nuk ka nisur asnjë proces për rishikimin e elementeve fiskale që ndikojnë drejtpërdrejt në kostot operative, si akciza, taksa e qarkullimit apo TVSH-ja.

 

Në reagimin zyrtar, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban theksojnë se kjo mungesë reagimi ka përkeqësuar ndjeshëm situatën financiare të operatorëve, të cilët ndodhen në kushte tejet të vështira për të vijuar aktivitetin. Për këtë arsye, reduktimi me 40% i flotës në qarkullim është një masë e detyruar dhe jo një zgjedhje.

 

Shoqatat u bëjnë thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe i kërkojnë të planifikojnë më mirë kohën e udhëtimit, duke nënvizuar se situata nuk është krijuar nga vullneti i operatorëve, por si pasojë direkte e mungesës së ndërhyrjes institucionale në kohë. Njëkohësisht, ato deklarojnë se mbeten të hapura për dialog dhe bashkëpunim, por kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe efektive nga qeveria për të shmangur kolapsin e plotë të transportit publik.

 

Ndërkohë, shoqatat kanë dërguar disa herë kërkesa dhe letra zyrtare drejt Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Financave dhe bashkive, duke kërkuar zgjidhje për krizën financiare të shkaktuar nga rritja e çmimit të naftës. Në takimin e zhvilluar më 1 prill me Ministrinë e Ekonomisë, operatorët kanë kërkuar rikthimin e një skeme të ngjashme me atë të vitit 2022, kur për shkak të krizës së çmimeve ata u kompensuan për 6 muaj me 100 lekë për litër naftë.

 

Pa një ndërhyrje të shpejtë, sektori paralajmëron se reduktimi i shërbimit mund të thellohet edhe më tej, duke rrezikuar seriozisht funksionimin normal të transportit publik në të gjithë vendin dhe duke lënë mijëra qytetarë pa një nga shërbimet më jetike të përditshmërisë.

XS
SM
MD
LG