Mori shtetësinë shqiptare - Eric Adams regjistrohet si banor i Njësisë Nr. 2 në Tiranë
Ish-kryebashkiaku i New York-ut, Eric Adams, pas marrjes së shtetësisë shqiptare është regjistruar zyrtarisht si banor në Njësinë Administrative nr. 2 në Tiranë.
Sipas të dhënave, Adams ka nisur edhe procedurat për t’u pajisur me dokumente identifikimi shqiptare, përfshirë pasaportën dhe kartën e identitetit.
Lajmi është bërë publik përmes një postimi në rrjetet sociale nga drejtuesi i Njësisë Administrative nr. 2, Florian Pullazi, i cili publikoi edhe disa fotografi nga takimi me ish-zyrtarin amerikan.
Pullazi e shprehu kënaqësinë që ish-zyrtari amerikan i bashkohet komunitetit të banorëve të njësisë nr.2 në kryeqytet, ndërsa e përshkroi Adams si një mbështetës të shqiptarëve, duke theksuar kontributin e tij në fushën e sigurisë publike gjatë karrierës si pjesë e policisë së New York-ut.
“Me kënaqësi mikprita në ambientet e njësisë administrative nr. 2 në Tiranë, ish-kryetarin e bashkisë së New York-ut dhe ish-senatorin e njohur, Eric Adams.
Eric Adams është një mik i madh i shqiptarëve - sot, shqiptar me pasaportë - përveçse një politikan i njohur për fokusin tek çështjet e sigurisë publike, si ish-kapiten i Departamentit të Policisë së New York-ut.
Siç e thotë edhe vetë ai, marrja e shtetësisë shqiptare është edhe reflektim i lidhjes së gjatë dhe të thellë mes qytetit të New York-ut dhe komunitetit shqiptar në SHBA. Kënaqësi që, nga sot, e kemi banor të njësisë nr. 2 në kryeqytet!”, thuhet në postimin e Pullazit.
Në deklaratat e tij, Adams e ka cilësuar marrjen e shtetësisë shqiptare si një shprehje të marrëdhënies së fortë dhe historike mes qytetit të New York-ut dhe komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara.
Ish-kryebashkiaku i New York-ut, Eric Adams, mori shtetësinë shqiptare para disa ditësh, duke vlerësuar kontributin dhe mbështetjen e ofruar për diasporën shqiptare në Amerikë.