Lidhje


Rama për Sazanin: Nuk ia japim të gjithin Kushnerit - Do të ketë art dhe kulturë në ishull!

 

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me operatorët turistikë në qytetin e Vlorës, ku është ndalur gjerësisht te projekti i shumëdiskutuar për ishullin e Sazanit.

 

Duke iu përgjigjur kritikave mbi shitjen e territorit, kreu i qeverisë garantoi se ishulli do të mbetet pronë e Republikës së Shqipërisë dhe se shteti do të ketë një rol aktiv në administrimin e tij.

 

Rama bëri të ditur se negociatat me investitorët nuk kanë përfunduar ende, pasi po hartohet një formulë ku Shqipëria do të jetë pjesë e kompanisë së përbashkët.

 

“Nuk e kemi shitur dhe nuk e shesim ishullin. Sazani është pronë e RSH dhe do mbetet. Republika e Shqipërisë do jetë pjesë e kompanisë së përbashkët që do investojë dhe administrojë ishullin. Shqiptarët janë të përfaqësuar në këtë iniciativë,” deklaroi kryeministri.

 

Një element i ri i zbuluar nga Rama është ndryshimi i konceptit arkitekturor të projektit. Sipas tij, Sazani nuk do të jetë një “rezervatë” e mbyllur për një elitë të vogël, por një hapësirë me profil artistik dhe kulturor.

 

“Projekti i Sazanit ka ndryshuar si proces e si projekt ndërtimi. Do ketë shumë pak ndërtime. Do ketë profil kulturor e artistik. Do jetë një nga projektet më të bukura në Mesdhe,” nënvizoi Rama, duke shtuar se përfshirja e arkitektëve më të mëdhenj të botës do t’i rrisë vlerën të gjithë zonës përreth.

 

Për kryeministrin, ky investim duhet parë si një motor që do të rrisë çmimet e pronave dhe vlerën e investimeve ekzistuese në bregdetin e Vlorës.

 

Ai u bëri thirrje operatorëve turistikë që të jenë strategë dhe të fokusohen te cilësia e shërbimit, pasi ky projekt do të shërbejë si një certifikatë sigurie për tregun ndërkombëtar.

 

“Momentin që tregu ndërkombëtar e merr mesazhin që ata e filluan investimin, atëherë qenka vend super i sigurt për të investuar. Pa diskutim që kjo do të sjellë të mira për Vlorën,” përfundoi Rama, duke e cilësuar shërbimin dhe mirësinë ndaj turistëve si çelësin e suksesit për 10 vitet e ardhshme.

XS
SM
MD
LG