Mbledhja e qeverisë, asnjë masë për rritjen e çmimeve të ushqimeve
Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj foli dhe për rritjen e çmimit të naftës dhe të ushqimeve, duke artikuluar fjalë boshe dhe pa lajmëruar asnjë masë konkrete.
Ibrahimaj tha se rritje të çmimeve kanë pësuar dhe frutat ndërsa perimet akoma më shumë ndërsa shtoi se po bëhet monitorim i tregut me bazë ditore.
“Dje bëmë një ulje domethënës të çmimit të naftës. Në bazë ditore ne monitorojmë çmimet dhe çdo ditë me qëllim që të garantojmë që çmimet në tabelë janë ato që reflektojnë ndryshimet e fundit.
Ditët e fundit që nga mesi i muajit mars, kemi parë një rritje të çmimeve të frutave dhe perimeve që kanë ndikuar në shportë. Inflacioni shënoi 2.6% me rritje të lehtë. Kemi monitoruar çmimet në njësi tregtare, qoftë fruta-perimet por të gjitha produktet e shportës. Reflektimi ka ndodhur në kategorinë e perimeve ndërsa kategoritë e tjera të çmimeve nuk kanë pasur rritje. Nga eksperienca e luftës së Ukrainës, në të gjithë botën u materializua një rritje e inflacionit të ushqimeve. Do të kujdesemi të subvencionojmë shtresat në nevojë”, tha ministrja.