Importuesit ankesa qeverisë: Pezullojmë importin e naftës, çmimet nën kosto
Furnizimi me naftë në vend rrezikohet. Pas vendimit të djeshëm të Bordit të Transparencës, që fiksoi çmimet e tregtimit me pakicë të naftës dhe benzinës në vend, në përkatësisht në 203 dhe 175 lekë për litër, (nga 214 dhe 199 lekë që ishin më parë), dhe ato të shumicës në 191 dhe 163 lekë për litër, ka ardhur reagimi i importuesve të mëdhenj të naftës.
Ata kanë paralajmëruar “Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë” dhe “Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë” se për të shmangur shitjen nën kosto, e cila do të sillte humbje shumë të mëdha, janë të detyruar të marrin masa të përkohshme, konkretisht:
-Pezullimin dhe kufizimin e shitjes me shumicë të naftës dhe benzinës;
-Frenimin dhe kufizimin e procesit të zhdoganimit të karburanteve në Porto Romano, deri në një moment të dytë.
Monitor zotëron të paktën dy shkresa, që kompanitë importuese i kanë çuar sot “Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë” dhe “Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë”.
Importuesit e argumentojnë këtë vendim me pretendimin se çmimet me pakicë që ka vendosur Bordi i Transparencës janë nën kosto.
Në shkresë, sqarohet se në vijim të publikimit të fundit të çmimeve nga Bordi i Transparencës, me datë 26 Mars 2026, ku është përcaktuar çmimi tavan i shitjes me shumicë për naftën në nivelin 191 lek/litër dhe për benzinën në nivelin maksimal 163 lek/litër, dëshirojmë t’ju vëmë në dijeni për problematikat e rëndësishme që lidhen me mënyrën e përllogaritjes së këtyre çmimeve.
Sipas importuesve, përllogaritja është bazuar në formulën e përdorur në vitin 2022, e cila nuk reflekton kushtet aktuale të tregut dhe, në veçanti, kontratat në fuqi që ne kemi me furnitorët tanë. Si rrjedhojë, çmimet e përcaktuara nuk pasqyrojnë kostot reale që aktualisht formojnë çmimin e një litri nafte dhe benzine për tregtimin me shumicë.