Lidhje


Çmimi i naftës 199 lekë - Rama riciklon premtimet e vjetra si “zgjidhje të reja”

 

Nga Lapsi.al

 

Sa herë bota tronditet nga një luftë, sa herë ka një krizë gjeopolitike, apo bursat e naftës i kap paniku, në Shqipëri ndodh i njëjti ritual: çmimi në karburante nuk pret mbërritjen e anijeve me furnizimin e ri, por kërcen me shpejtësinë e lajmeve, ndërsa qeveria kinse e shqetësuar riciklon të njëjtat premtime, me të njëjtat fjalë, thuajse me të njëjtin skenar sikur do të ndërhyjë në treg e shqetësuar për konsumatorin.

 

Loja po përsëritet edhe tani. Dy javë nga nisja e konfliktit në Lindjen e Mesme, nafta në Tiranë ka prekur 199 lekë për litër. Vetëm pak ditë më parë ishte 175 lekë. Pra, 24 lekë më shumë për litër, ose rreth 14 për qind rritje, një goditje e drejtëpërdrejtë mbi xhepat e qytetarëve.

 

Në bursat ndërkombëtare, rritja është reale. Nafta është ngjitur deri në 103 dollarë për fuçi. Askush nuk mund të pretendojë se Shqipëria jeton në vakum, por problemi këtu nuk është vetëm kriza globale. Problemi është se në Shqipëri kriza globale përdoret gjithnjë si alibi vendase. Dhe alibia ka gjithmonë të njëjtin autor, të njëjtin regjisor dhe të njëjtin fund: premtime të reja të qeverisë për një shtet që “do hyjë në treg”, ndërkohë që shteti realisht nuk ka asnjë instrument për ta bërë këtë.

 

Premtimi për ndërhyrje shtetërore me tregtarët e naftës

 

Në takimin me furnizuesit e naftës këtë të mërkurë, Edi Rama u përpoq të shfaqej sërish si arbitri i madh mes tregut dhe konsumatorit. Ai tha se qëllimi i qeverisë nuk është “që t’ju shtrëngojmë juve në punën tuaj”, por që “kriza në Lindjen e Mesme nuk mund të projektohet e tëra mbi supet e konsumatorëve”. Më tej shtoi edhe paralajmërimin tipik, që është përsëritur pa efekt në çdo situatë të ngjashme dhe që ka të bëjë me futjen e shtetit në tregun e naftës.

“Ne jemi në punë për të finalizuar edhe një nismë që kemi ndërmarrë për të futur në treg si distributor garant dhe distributor shumice një faktor shtetëror, gjë që ne besojmë do ta bëjë më të lehtë dhe për ju të gjithë punën pasi do i garantojë sasitë e nevojshme” u shpreh kryeministri.

 

Madje Rama u kujdes ta përshkruante këtë “faktor shtetëror” si ilaçin universal të tregut. Sipas tij, ai “nuk është që të godasë ju, nuk është që të krijojë një monopol”, por thjesht do të “ekuilibrojë tregun në funksion të konsumatorëve”. Dhe jo vetëm kaq. Kryeministri tha se ky faktor do të mbështesë “sovranitetin e vendit” dhe do të garantojë kontrata afatgjata falë “garancisë sovrane”.

 

Ndërhyrja shtetërore tek nafta, premtim i vjetër për t’u hedhur hi syve qytetarëve

 

Në pamje të parë, duket sikur Rama ka një qasje konstruktive. Me ndërhyrjen e tij, ai po përpiqet ta mbrojë konsumatorin duke u ulur në tryezë me biznesin, të cilit i kujton se ndërhyrja shtetërore është aty, si kërcënim rezervë. Por në praktikë kjo është një lëvizje e përsëritur dhe që bëhet vetëm për efekt propagandëstik.

 

Në mars 2022, kur shpërtheu lufta në Ukrainë dhe çmimet e naftës nisën arratinë, ndodhi pak a shumë e njëjta gjë. Edhe atëherë, Rama premtoi se shteti do të krijonte rezervën e vet përmes Albpetrolit. U tha se kompania shtetërore do të bëhej “aktori i ditëve të këqija” me idenë se ndërhyrja shtetërore ishte për të frenuar rritjen e cmimit të karburanteve.

 

“Ne si qeveri ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës sot të angazhohet për të krijuar rezervën e vet të naftës duke përdorur Albpertol për të pasur aktorin e vet për ditë të këqija. Ne do të jemi 100% në dispozicion për ndihmë nëse do të shohim se problematika e furnizimit do të agravohet dhe ju do të jeni 100% në dispozicion jo për të na ndihmuar, por për të qenë në lartësinë e kësaj sfide. Kjo është një situatë e jashtëzakonshme, mungojnë bombat, por po vuajmë pasoja. Kemi marrë përsipër që asnjë lloj llogarie racionale nuk e pranon të paguajë 80% të çmimit të energjisë” u shpreh Rama asokohe. (video ketu)

 

Ideja e ndërhyrjes shtetërore në tregun e naftës është edhe më e vjetër se kaq. Në vitin 2019 qeveria hodhi për konsultim projektligjin për rezervat strategjike të naftës, që parashikonte krijimin e një Agjencie Shtetërore me rol dominues, 60 ditë stok nga shteti dhe 30 nga kompanitë private, si garanci për të mos u paralizuar vendi në kriza.

 

Projektligji u debatua, u kundërshtua, u diskutua… dhe më pas u harrua. Por kuptohet: sa herë ka një krizë, “faktori shtetëror” nxirret nga sirtari dhe paketohet si zbulim i ri, për t’u hedhur sy qytetarëve.

 

Propagandë për të mbajtur në kontroll irritimin qytetar

 

Pyetja që vlen në situata si këto nuk është çfarë premtohet sot. Pyetja është: ku ishte ky “sovranitet” gjatë këtyre shtatë viteve?

 

Fakti që nuk është bërë asgjë, tregon se kemi të bëjmë me një premtim të ringrohur, se qeveria nuk do të marrë asnjë masë dhe se daljet publike bëhen për të mbajtur nën kontroll irritimin e qytetarëve.

 

Në thelb, Shqipëria ende nuk ka rezervë shtetërore të sigurisë së naftës. Ende nuk ka agjenci funksionale. Ende nuk ka stok publik për ta hedhur në treg kur çmimi rritet. Ende nuk ka mjetin minimal që do t’i jepte shtetit të drejtën morale për të folur si lojtar në treg.

 

Prandaj e gjithë kjo histori me “forcën e shtetit” me “ndërhyrjet në treg” ngjan me supën e zakonshme të propagandës që i shërbehet një publiku të çorientuar, që ha të njëjtën gjellë për herë të dytë, të tretë, apo të katërt dhe mbetet po aty ku ka qenë gjithmonë: me portofol në dorë, duke paguar jo vetëm efektet e krizës globale, por edhe dështimin vendas, për të ndërtuar një shtet që nuk e vjedh edhe në ditët më të këqia.

XS
SM
MD
LG