Lidhje


Blushi kërkon Komision Hetimor Parlamentar për 4 miliardë euro rrugë që u shembën

 

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka prezantuar një kërkesë nga grupi parlamentar i Partisë së Lirisë dhe i Partisë Demokratike për krijimin e një komisioni hetimor parlamentar, me qëllim kontrollin e ligjshmërisë dhe efikasitetit të investimeve në infrastrukturën rrugore.

 

Në dokumentin e dorëzuar në Kuvend, Blushi dhe deputetët argumentojnë se dëmtimet e mëdha të rrugëve dhe urave gjatë muajve të fundit, si segmentet Librazhd–Prrenjas, Qukës–Qafë Plloçë, Korçë–Ersekë, Unaza e Burrelit dhe Dardhë–Boboshticë, tregojnë për probleme në planifikimin, projektimin dhe mbikëqyrjen e punimeve.

 

Sipas tij gjatë periudhës 2014–2025 janë investuar rreth 4 miliardë euro në rrugë, por amortizimi i shpejtë i këtyre investimeve tregon nevojën për një hetim të hollësishëm mbi menaxhimin dhe standardet e ndërtimit.

 

Kërkesa e deputetëve thekson se komisioni hetimor do të ketë si objekt: verifikimin e veprimeve të Autoritetit Rrugor Shqiptar, kontrollin e respektimit të standardeve nga kompanitë ekzekutuese, vlerësimin e kapaciteteve të institucioneve dhe shoqatave profesionale, si dhe hartimin e rekomandimeve për përmirësimin e procesit të investimeve publike.

XS
SM
MD
LG