SPAK kalon për gjykim çështjen penale ndaj Metës dhe Kryemadhit
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi këtë të mërkurë, më 18 mars, që çështja penale ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, të kalojë për gjykim në themel. Të dy akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në këtë proces janë të përfshirë edhe nëna e Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho, si dhe Ema Çoku, e njohur si financuese e LSI-së. Vendimi u mor nga gjyqtarja Irena Gjoka, pas një zvarritjeje prej rreth shtatë muajsh e gjysmë të seancës paraprake.
Sipas SPAK, ndaj Metës rëndojnë akuza për ndikim të paligjshëm në disa episode, që lidhen me çështjen CEZ-DIA, një marrëveshje interkonjeksioni, si dhe një raport të dyshuar korruptiv për ndryshime ligjore në favor të biznesmenit Samir Mane. Akuza të ngjashme janë ngritur edhe ndaj Monika Kryemadhit.
Pas përfundimit të seancës, avokati i Metës, Kujtim Cakrani, deklaroi për mediat se hetimi është i paplotë, por megjithatë çështja është kaluar për gjykim. Nga ana tjetër, Kryemadhi e cilësoi procesin si politik dhe theksoi se do ta përballet me të në gjykatë.
Në detaje, SPAK akuzon Metën për korrupsion pasiv në tre raste, dy prej tyre në bashkëpunim. Kryemadhi akuzohet për korrupsion pasiv në dy raste, gjithashtu në bashkëpunim. Të dy përballen edhe me akuza për pastrim të produkteve të veprës penale dhe për mosdeklarim ose deklarim të rremë të pasurisë dhe interesave private. Ndërkohë, Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku akuzohen për pastrim parash, ndërsa Pirro Xhixho për korrupsion pasiv në bashkëpunim.
Që prej tetorit 2024, Ilir Meta, aktualisht edhe kryetar i Partisë së Lirisë, ndodhet në burg, pasi gjykata ka pranuar kërkesën e SPAK për masën e sigurisë “arrest në burg”. Të gjitha kërkesat e tij për një masë më të butë janë rrëzuar deri më tani. Meta dhe të pandehurit e tjerë i kanë mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si të motivuara politikisht.