Komisioni Evropian hedh poshtë lajmet e rreme për rikthimin e fondeve IPARD
Qeveria shqiptare pretendon se fondet e programit IPARD mund të rikthehen brenda pak muajsh. Por Komisioni Evropian i tha Faktoje.al se procedura me autoritetet shqiptare është ende në zhvillim dhe nuk ka një afat për rifillimin e programit.
Esmeralda Topi – faktoje.al
Më 9 mars, ministri i Bujqësisë Andis Salla zhvilloi një vizitë zyrtare në Bruksel, ku u takua me drejtues të institucioneve evropiane për të diskutuar mbi fondet për bujqësinë shqiptare.
Në një reagim në rrjetet sociale, ministri njoftoi takimin me Drejtoreshën e Përgjithshme të Drejtorisë së Bujqësisë në Komisionin Evropian, Elisabet Werner.
“Një takim i frytshëm… ku diskutuam mbi progresin e Shqipërisë në përthithjen e fondeve europiane për bujqësinë dhe zhvillimin rural, si dhe mbi hapat e mëtejshëm për zbatimin efektiv të programit IPARD III,” shkruante Salla, duke shtuar se u vlerësua ecuria e vendit në përmbushjen e detyrimeve që lidhen me këtë program.
Megjithatë, takimi u interpretua ndryshe në disa media. Një lajm i publikuar fillimisht nga një televizion kombëtar raportoi me burime nga ministria e bujqësisë se programi IPARD III po hynte në një fazë të re dhe se fondet për bujqësinë shqiptare pritet të rifillonin pas një pezullimi tre vjeçar. Lajmi u shpërnda gjerësisht në media të tjera online.
Por deklarata të tilla për rikthimin e shpejtë të fondeve nuk janë të reja.
Në fund të vitit të kaluar, ministri i Financave Petrit Malaj foli për një rikthim të afërt të programit. Edhe gjatë këtij viti, ministri Salla ka përmendur në disa dalje publike afate konkrete.
“Ne i kemi bërë detyrat tona, çfarë na është kërkuar nga Bashkimi Evropian. Jemi në datën 9 mars në Bruksel për të vazhduar hapat e mëtejshëm që brenda 6-mujorit të parë të kemi IPARD III,” u shpreh ai.
Brukseli përgënjeshtron
Në një përgjigje për Faktoje për pretendimet e qeverisë shqiptare mbi një rikthim të shpejtë të fondeve, Komisioni Evropian thekson se procedura është ende në zhvillim.
Sipas Komisionit, pas gjetjeve të OLAF për zbatimin e programit IPARD në Shqipëri, janë marrë masa parandaluese për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian. Aktualisht është në zhvillim një procedurë dypalëshe mes Brukselit dhe autoriteteve shqiptare për të siguruar vendosjen e masave korrigjuese.
Komisioni sqaron gjithashtu se çdo fond që mund të rezultojë i shpenzuar në mënyrë të padrejtë do të duhet të rikthehet në buxhetin e BE-së.
Në këtë kuadër, qeveria shqiptare ka kontraktuar një kompani të jashtme për të kryer një auditim forenzik mbi grantet dhe pagesat e programit IPARD II, si dhe mbi sistemin e ri të menaxhimit dhe kontrollit.
Por një tjetër element i rëndësishëm është se, përpara nisjes së programit IPARD III, autoritetet shqiptare duhet të kërkojnë zyrtarisht delegimin e kompetencave për menaxhimin e fondeve.
Sipas Komisionit Evropian, një kërkesë e tillë nuk është paraqitur ende nga Shqipëria, çka do të thotë se nuk mund të përcaktohet një afat për rifillimin e programit.
“Duke qenë se procedura dypalëshe mes Komisionit Evropian dhe autoriteteve shqiptare është ende në zhvillim, për momentin nuk mund të jepen informacione të tjera,” thuhet në përgjigjen për Faktoje.
Javën e kaluar, Faktoje raportoi se 76 përfitues të fondeve të programit IPARD janë aktualisht në procese gjyqësore për kthimin e granteve të përfituara. Ndërkohë, çështja vijon të jetë nën hetim nga SPAK.
Përfundim
Komisioni Evropian nuk konfirmon rikthimin e shpejtë të fondeve IPARD. Duke qenë se procedura mes palëve është ende në zhvillim dhe nuk ka asnjë vendim zyrtar për rifillimin e programit, pretendimi për rikthimin e afërt të fondeve rezulton deklaratë e pavërtetë. Pa një vendim zyrtar nga Komisioni Evropian, deklaratat për çeljen e fondeve IPARD III mbeten premtime politike të njëanshme.
Programi i mbështetjes në bujqësi IPARD ofron grante në ndihmë të sektorit bujqësor për të gjitha vendet që janë në proces anëtarësimi me Bashkimin Evropian. Shqipëria është një prej pesë vendeve përfituese të mbështetjes me grante. Përmes programit IPARD II, i cili u zbatua gjatë viteve 2014 dhe 2020, Shqipëria përfitoi mbi 71 milionë euro fonde. Dhe teksa vendi priste të niste mbështetjen në bujqësi përmes IPARD III me 146 milionë euro grante, Komisioni Evropian vendosi pezullimin bazuar në dyshimet për korrupsion.