Lidhje


RENEA dhe forcat speciale greke stërviten së bashku

 

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, mori pjesë në ceremoninë e përfundimit të stërvitjes së përbashkët mes forcave speciale të Policisë së Shtetit, RENEA, dhe njësisë elitë të policisë greke EKAM.

 

Në fjalën e tij, ministri Lamallari vlerësoi rolin e kësaj njësie speciale, duke theksuar se për vite me radhë RENEA ka qenë simbol i disiplinës, kurajos dhe sakrificës në shërbim të qytetarëve. Sipas tij, efektivët e kësaj force janë në vijën e parë në përballjen me situatat më të vështira, nga lufta kundër krimit të organizuar deri te kërcënimet terroriste dhe çdo rrezik që cenon jetën e qytetarëve. Lamallari theksoi se bashkëpunimi mes dy njësive speciale nuk është vetëm një trajnim i përbashkët, por një proces më i gjerë shkëmbimi përvoje dhe ndërtimi besimi mes dy policive.

 

“Ky trajnim është shumë më tepër se një stërvitje. Është bashkëpunim, ndarje përvoje dhe një besim që rritet mes jush, duke dëshmuar se Policia e Shtetit dhe policia greke mund të fuqizojnë më tej bashkëpunimin për të adresuar sfidat e përbashkëta”, deklaroi ai.

 

Ministri nënvizoi gjithashtu rëndësinë e marrëdhënieve mes Tiranës dhe Athinëss në fushën e sigurisë, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si thelbësor jo vetëm për dy vendet, por edhe për stabilitetin e rajonit.

 

Sfidat si krimi i organizuar, terrorizmi dhe krimet transnacionale, tha ministri Lamallari, kërkojnë bashkëpunim të ngushtë mes vendeve, sidomos në kontekstin e integrimit europian. Në këtë kuadër, ai theksoi se Shqipëria ka bërë progres të ndjeshëm në luftën kundër krimit dhe se Policia e Shtetit meriton të ketë një rol dinjitoz në platformën europiane të njësive speciale ATLAS Network.

 

Lamallari shprehu angazhimin e tij për të forcuar më tej bashkëpunimin mes policisë shqiptare dhe homologëve grekë, duke theksuar se kjo është një garanci më shumë për sigurinë e qytetarëve të të dy vendeve dhe të gjithë rajonit.

 

“Dëshiroj veç t’ju falënderoj për shërbimin që ju bëni çdo ditë, si në Shqipëri dhe kolegët tuaj në Greqi, edhe është veçse kënaqësi e nder të jem drejtuesi i kësaj ministrie, shumë të rëndësishme, që përfshin skuadra elitë si RENEA dhe EKAM në rastin e homologëve grekë, të cilët janë shëmbëlltyra e misionit fisnik të policive të të dy vendeve, të cilët sigurisht arrijnë deri në sakrificë për të garantuar rendin dhe sigurinë e qytetarëve dhe të rajonit”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari.

XS
SM
MD
LG