Berisha: Sot Rama shënoi fundin e tij politik, më 22 mars protestë kombëtare
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi pas seancës plenare të Kuvendit, ku u rrëzua kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, se kryeministri Edi Rama shënoi “fundin e tij politik”.
Berisha falënderoi protestuesit e opozitës për pjesëmarrjen në protestë, duke thënë se ata dolën për të mbrojtur Kushtetutën dhe interesat e qytetarëve.
Sipas tij, vendimet e mazhorancës për rastin e Ballukut tregojnë dobësim politik të qeverisë dhe janë bërë për mbrojtje politike.
Ai theksoi se reagimi i qytetarëve dhe protestat e opozitës kanë ekspozuar qeverinë dhe e ka cilësuar këtë moment si një pikë kthese politike.
Berisha deklaroi se opozita do të vijojë protestat paqësore dhe e quajti këtë periudhë “pranvera e fitores”, duke bërë thirrje për mobilizim qytetar dhe bashkim për ndryshim politik.
Në fund, ai ftoi qytetarët të marrin pjesë në protestën e radhës të opozitës më 22 mars në Tiranë.