Lidhje


Rama bllokadë SPAK-ut - PS refuzon arrestimin e Belinda Ballukut!

 

Mazhoranca socialiste ka deklaruar të hënën qëndrimin e saj kundër kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres dhe deputetes Belinda Balluku, duke argumentuar se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për një masë më të rëndë sigurie.

 

Qëndrimi i Partisë Socialiste u prezantua nga Ulsi Manja, anëtar i Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, i cili lexoi raportin e mazhorancës në Kuvend.

 

“Nuk ka vend për dhënien e autorizimit për masën e sigurimit personal arrest me burg apo arrest shtëpie”, deklaroi Manja.

 

Në argumentimin e tij, ai i cilësoi të pabazuara arsyet e SPAK për vendosjen e masës së arrestit, duke theksuar se pretendimet për rrezik të prishjes së provave nuk mbështeten në fakte konkrete, veçanërisht pasi Balluku nuk ushtron më funksione ekzekutive në qeveri.

 

“Rreziku i prishjes së provave nuk u provua me fakte reale, por janë konsiderata që në themel kanë ish-funksionin e ministres që mbante Balluku, ndërkohë që akuza mbetet e njëjta”, tha Manja.

 

Ai hodhi poshtë gjithashtu pretendimet e prokurorëve të SPAK për presione ndaj dëshmitarëve nga persona të afërt me Ballukun apo nga zyrtarë të kabinetit të saj, duke lënë të kuptohet se prokuroria nuk ka kryer hetime të mjaftueshme për të provuar këto dyshime.

 

Sipas raportit të Partisë Socialiste, masa aktuale e ndalimit të daljes jashtë shtetit është e mjaftueshme që hetimet ndaj Ballukut të vijojnë pa pengesa.

 

Kjo është hera e dytë që mazhoranca socialiste refuzon heqjen e imunitetit parlamentar për një figurë të rëndësishme të saj të përballur me drejtësinë, pas rastit të ish-ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri, i cili më vonë u dënua nga gjykata për “shpërdorim detyre” lidhur me kontaktet me elementë të krimit të organizuar.

 

Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili forcoi qëndrimin në mbrojtje të Ballukut dhe kritikoi ashpër mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar çështja nga prokuroria dhe mediat.

 

“Thjesht njoftimi i akuzës në rrugën e shtrembër, dhe fatkeqësisht i bërë zakon nga grupet hetimore të ‘stacionit të trenit’, që përdorin mediat si forca paramilitare të fajësimit dhe asgjësimit të subjekteve të tyre, mjaftoi që ndaj Belinda Ballukut të ngriheshin dallgët e urrejtjes dhe të zienin 700 tenxhere”, deklaroi Rama.

 

Votimi për autorizimin ose jo të arrestimit të Ballukut pritet të zhvillohet në seancën plenare të së enjtes, në kufijtë e afateve ligjore për vendimmarrje nga Kuvendi, pasi procesi u shty për rreth tre muaj nga mazhoranca.

 

Ndërkohë, opozita në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ka paraqitur një raport të veçantë ku rekomandon miratimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e deputetes, duke u mbështetur në provat e paraqitura nga prokuroria, në jurisprudencën kushtetuese, në opinionet e Komisionit të Venecias dhe në parimin e forcimit të luftës kundër korrupsionit.

XS
SM
MD
LG