“BOMBA NË KUVEND!” – PD kërkon arrestimin e Ballukut, paralajmëron protestë dhe përplasje para Kuvendit
Partia Demokratike dorëzoi në Kuvend raportin e 5 anëtarëve të saj në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit, duke kërkuar heqjen e imunitetit për deputeten Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar masë arresti. Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, deklaroi se opozita është në mbështetje të plotë të kërkesës së prokurorisë: “Jemi pro kërkesës së SPAK dhe pro drejtësisë”.
Sipas Bardhit, SPAK ka depozituar 80 prova dhe mijëra faqe dokumentacion, ku pretendohet se Balluku ka paracaktuar fituesit në 11 procedura publike me vlerë 1.1 miliardë euro, duke i shkaktuar shtetit dëm të madh financiar dhe duke rrezikuar deri në 35 vite burg. Ai citoi prokurorinë duke theksuar se ajo “po prish provat dhe po kërcënon dëshmitarët, përmes grupeve kriminale dhe përmes vartësve të saj”.
Bardhi akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama se po pengon drejtësinë për ta mbrojtur ish-zëvendëskryeministren, duke thënë: “Mirëpo, Edi Rama ka vendosur të pengojë drejtësinë dhe të mbrojë korrupsionin e saj. Arsye e thjeshtë: Është vetë i përfshirë”. Sipas tij, edhe pse Balluku është shkarkuar nga detyra ekzekutive, ajo vijon të ketë ndikim përmes lidhjeve në qeveri dhe administratë, çka – sipas PD – përbën rrezik për cenimin e provave.

Demokratët paralajmëruan se nëse Kuvendi refuzon heqjen e imunitetit, kjo do të përbënte ndërhyrje në pushtetin gjyqësor. “Kuvendit i është kërkuar autorizim nga Prokuroria, që ajo të ketë mundësi t’i drejtohet gjykatës për caktimin e masës së sigurimit”, tha Bardhi, duke theksuar se parlamenti nuk ka kompetencë të vendosë për masën e sigurisë.
Mazhoranca ende nuk ka paraqitur raportin e saj. Kryeministri Rama ka deklaruar se do të shprehet pasi socialistët e Këshillit të Mandateve të përgatisin raportin paralel, ndërsa më herët ka argumentuar se shkarkimi i Ballukut e bën të pavlefshme kërkesën e SPAK. Dy raportet pritet të votohen në seancën plenare të 12 marsit.
PD ka paralajmëruar protestë ditën e shqyrtimit në Kuvend. “Dua sot të njoftoj që ditën kur Kuvendi do të shqyrtojë mandatin e Ballukut, PD do të thërrasë në protestë qytetarët përpara parlamentit”, tha Bardhi, duke paralajmëruar përshkallëzim nëse kërkesa për heqjen e imunitetit refuzohet.