Lidhje


“Emigranti” Ermal Meta bëhet çështje në Itali: Mos i thoni Salvinit se i bie të fikët

 

Përfaqësimi i Ermal Metës në festivalin e Sanremo ka nxitur deklarata të forta politike. Këngëtari shqiptar konkurron me këngën “Stella Stellina” e cila përmban një mesazh të fortë politik. Ajo u dedikohet fëmijëve palestinezë në Rripin e Gazës.

 

Meta u shfaq në skenë me një veshje, ku në jakë kishte të shkruar emrin “Amal” që do të thotë “shpresë” dhe që simbolizon të gjitha vajzat e Gazës.

 

Por origjina e këngëtarit shqiptar ka sjellë reagimin e zëvendëskryeministrit italian Matteo Salvini. Në një postim në rrjete sociale, Salvini, një kundërshtar i ashpër i emigracionit, i thuri lavde Ermal Metës, por theksoi se mes miliona emigrantëve të integruar ai nuk e mbështet aspak emigracionin e paligjshëm.

 

“Miliona gra dhe burra të lindur në vende të huaja dhe të integruar në mënyrë të përsosur në shoqërinë tonë jetojnë dhe punojnë në Itali. Unë i vlerësoj dhe i mirëpres ata. Gjithmonë i kam kundërshtuar emigrantët e paligjshëm dhe kriminelët, dhe jam i sigurt se Ermal Meta e ndan këtë ndjenjë. Një përqafim popullit krenar shqiptar. Rroftë Sanremo, gjuha italiane dhe muzika italiane”, – shkroi Salvini.

 

Ermal Meta emigroi në Itali në moshën 13 vjeçare së bashku me nënën dhe motrën e tij dhe tashmë punon dhe jeton atje prej më shumë se 3 dekadash. Ai ka zgjedhur t’i përgjigjet Salvinit me një koment pikant.

 

Duke folur për vlerësimin e marrë nga Accademia della Crusca, institucioni më i lartë i studimit të gjuhës italiane, këngëtari tha se, “nëse Accademia della Crusca zgjedh ndër më të mirët një tekst të shkruar nga një emigrant, bëni disa pyetje”. Më pas ai shtoi me ironi: “Jam i huaj, mos ia tregoni Salvinit, se mos i bie të fikët”.

 

Ermal Meta u pyet për tekstin e këngës edhe nga gazetarët, i cili është konsideruar si ndër më të mirët.

 

Për “Stella Stellina”, Ermal Meta eshte shpallur fitues edhe nga Adriano Celentano i cili bëri një koment në rrjetet sociale ku tha se “është e pamundur që Ermali mos të fitojë”.

XS
SM
MD
LG