Lidhje


Shqipëria merr sistemet raketore Javelin, Vengu: Mesazh i qartë strategjik

 

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të sistemeve raketore antitank Javelin në Komandën e Forcës Tokësore në Zall Herr, në prani të të Ngarkuarës me Punë të SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn. Dorëzimi i sistemit përbën përmbylljen e një komponenti të porositur prej vitesh në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë ushtarak mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

 

Në fjalën e tij, Vengu e cilësoi momentin si domethënës, duke theksuar se sistemi Javelin është “pjesë e një bashkëpunimi të konsoliduar me SHBA-të” dhe përfaqëson jo vetëm rritje kapacitetesh, por edhe një “mesazh qartësie strategjike”. Sipas tij, investimi në mbrojtje është një zgjedhje e ndërgjegjshme për të garantuar sigurinë në kohë paqeje dhe për të shmangur kosto më të larta në situata krize.

 

Ministri theksoi se Shqipëria ka zgjedhur të investojë në mbrojtje me planifikim dhe disiplinë buxhetore, duke e konsideruar këtë si një investim strategjik për të ardhmen dhe për forcimin e rolit të saj në kuadër të sigurisë kolektive të NATO-s. “Shqipëria nuk armatoset për të kërcënuar askënd, por për të garantuar që askush të mos e vërë në provë”, u shpreh ai.

 

Në përfundim, Vengu nënvizoi se mbrojtja është një shtyllë thelbësore e shtetit dhe një element i rëndësishëm për një vend që synon të forcojë pozicionin e tij në proceset integruese, përfshirë rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG