Rama me shpatulla pas murit: Pret raportin për Ballukun dhe sulmon drejtësinë
Qëndrimi final i Kryeministrit Edi Rama lidhur me kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, do të jepet pasi të njihet me raportin e mazhorancës. Në mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste, për më shumë se një orë, kreu i qeverisë kritikoi ashpër drejtësine e re, me akuza se po ndërhyn në punën e ekzekutivit.
“Nuk do merrem me procesin që ka nisur në Kuvend se do pres raportin e Këshillit të Mandateve. Drejtësia ka nisur të bëjë një shërbim të pamohueshëm për vendin dhe po bën dëm serioz kolateral për administratën, duke e përmbysur parimin e prezumimit të pafajësisë, mekanizmi i qeverisë së vendit nuk mund të ç’kurdiset kur prokuroria ngre një akuzë”, tha Rama.
Përpara kabinetit qeveritar dhe deputetëve, Rama theksoi se gjykata nuk mund të zbatojë kërkesat e prokurorëve pa gjyq, referuar vendimit të pezullimin e Ballukut.
“Çfarë është përveçse ndërhyrje brutale, pezullimi i ministrit nga një prokuror dhe gjykatës, me vendim të një seance paraprake pa gjyq, i pandodhur në historinë e botës. Çfarë është përveçse ndërhyrje gjymtuese në territorin e psuhtetit legjislativ, përpjekja e një shoqate përfaqësuesish të gjyqësorit për të rritur pagat e veta me gjyq”, tha kryeministri.
Teksa paralelizoi drejtësine e re me qeverinë e vitit 1992, Rama u shpreh se as sot nuk ka paanshmëri.
“Drejtësia sot është e re dhe pikërisht nuk është as e paanshme, as profesionale; drejtësia sot është si qeveria shqiptare e vitit ’92: fuqi e madhe politike, traditë demokratike jo, dhe autokontroll që varion 0–4, por që mbetet mbi notën kaluese”, tha shefi i qeverisë.
Nuk harroi as ironitë me opozitën.
“Ku ishin fshehur kur Berisha e ngrinte puçiste dhe e ulte lavire bulevardi kryeprokuroren e përgjithshme. Tani po hyjmë në Europë. Tani, sot në këtë kohë atij që s’u bë dot pasardhësi im pasi ishte paraardhësi im, nuk ia artikulojnë dot gjysmë llafi edhe pasi del dhe i lexon prokurorit më kurajoz librin e shtëpisë”, tha Rama.
Duke e cilësuar veten dhe qeverinë e tij si mbështetësi më i madh i drejtësisë, Rama tha se deklaratat e tij kritikuese duhen të merren si shenjë për përmirësim por jo si presion ndaj drejtësisë./vizion+