Lidhje


Prej 3 ditësh në kufi pa bukë e pa rrugë: Dhjetëra kamionë turq të bllokuar në Qafë Thanë

 

Rreth 50 mjete të tonazhit të rëndë kanë mbetur të bllokuara prej tre ditësh në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, për shkak të problemeve në segmentin rrugor në zonën e njohur si Ura e Arrave. Pjesa më e madhe e kamionëve vijnë nga Turqia dhe Maqedonia e Veriut dhe janë në pritje të hapjes së rrugës për të vijuar itinerarin.

 

Drejtuesit e mjeteve shprehen se situata u ka shkaktuar vështirësi të mëdha ekonomike dhe personale. Ata tregojnë se po qëndrojnë prej ditësh në kabinat e kamionëve, pa kushte bazike, pa restorante apo dyqane pranë dhe me mungesë ushqimi e furnizimesh. Një prej shoferëve turq tha se gjendja e rrugës është e rënduar dhe se automjetet dëmtohen sa herë kalojnë në këtë aks, duke shtuar kostot e servisimit. “Prej tre ditësh presim. Flemë në kamion dhe nuk kemi ku të hamë. Jemi të detyruar të presim hapjen e rrugës”, u shpreh ai.

 

Një tjetër drejtues mjeti deklaroi se furnizimet e tyre kanë mbaruar dhe se sipas informacioneve të marra, rruga mund të hapet në provë të premten. Përpjekjet për të gjetur alternativa përmes Kosovës nuk kanë rezultuar të suksesshme, pasi, sipas tij, dokumentacioni nuk po përpunohet atje.

 

Pika kufitare e Qafë Thanës përballon çdo ditë hyrje-dalje të mbi 200 mjeteve të tonazhit të rëndë, ku një pjesë e konsiderueshme transportojnë mallra nga Turqia dhe Maqedonia, ndërsa në dalje dominojnë eksportet e fermerëve nga fusha e Myzeqesë. Bllokimi i rrugës ka krijuar kështu jo vetëm vështirësi për shoferët, por edhe pasoja për zinxhirin e transportit dhe tregtisë ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG