Kushtetuesja godet sërish Ramën – pranon kërkesat e PD-së dhe rrëzon “Kuvendin e Ri”
Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri të shfuqizojë ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, të miratuara në shtator të vitit të kaluar nga mazhoranca socialiste, të cilat riformatuan arkitekturën e funksionimit parlamentar. Vendimi erdhi pas pranimit të ankimimit të Partisë Demokratike, e cila kundërshtoi procedurën e ndjekur për miratimin e këtyre ndryshimeve, duke e cilësuar atë të njëanshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën.
Në arsyetimin e saj, Gjykata theksoi se ndryshimet cenonin parimin e demokracisë përfaqësuese, të lidhur ngushtë me lirinë e shprehjes së deputetëve. Sipas trupës gjykuese, janë shkelur rregullat për thirrjen e mbledhjes së Kuvendit dhe procedura e miratimit të aktit në fjalë. Si rezultat, akti u shpall antikushtetues. Megjithatë, Gjykata vendosi që efektet e shfuqizimit të hyjnë në fuqi 30 ditë pas botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare, duke i lënë Kuvendit një afat për të riorganizuar komisionet parlamentare sipas standardeve kushtetuese të përcaktuara në vendim.
Arkitektura e re parlamentare ishte shpallur fillimisht nga kryeministri Edi Rama në një asamble të Partisë Socialiste, pas fitores së mandatit të katërt qeverisës. Ndryshimet parashikonin shtimin e komisioneve të përhershme parlamentare dhe riorganizimin e tyre. Nga 8 komisione që kishte struktura e mëparshme, u krijuan 11 komisione të përhershme. Sipas konfigurimit të ri, vetëm 4 prej tyre drejtoheshin nga opozita, ndërsa pjesa tjetër nga mazhoranca.
Një nga ndryshimet kryesore ishte përfshirja si komision i përhershëm e komisionit të posaçëm të drejtuar më herët nga Fatmir Xhafaj për reformat anti-korrupsion, i riemërtuar “Për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale”. Ky komision kishte për qëllim mbikëqyrjen e zbatimit të rekomandimeve parlamentare për institucionet e pavarura në procesin e integrimit europian.
Në të njëjtën kohë, mazhoranca shkrinë komisionin parlamentar për Çështjet e Integrimit Europian, i cili drejtohej nga opozita, si dhe i hoqi kësaj të fundit të drejtën e kryesimit të Këshillit Kombëtar për Integrimin – një strukturë kyçe për koordinimin mes parlamentit, shoqërisë civile dhe institucioneve të pavarura në kuadër të negociatave me BE-në. PD argumentoi në ankimimin e saj se miratimi i ndryshimeve vetëm pesë ditë pasi kryeministri i shpalli publikisht përbënte shkelje të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, duke e cilësuar procesin si ndërhyrje të pushtetit ekzekutiv në organizimin dhe funksionimin e pushtetit legjislativ.