Manja dhe Balla – Si u barrikadua mazhoranca në mbrojtje të Ballukut në Këshillin e Mandateve
Mbledhja e sotme e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin u shoqërua me përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Ndërsa përfaqësuesit e opozitës kërkuan që Kuvendi t’i hapë rrugë arrestimit të saj, përfaqësuesit e Partisë Socialiste u shprehën kundër kësaj kërkese në formën e paraqitur.
Sipas raportimit të gazetarit Ergys Gjençaj për BalkanWeb, deputeti socialist Ulsi Manja deklaroi gjatë mbledhjes se masat e sigurisë të vendosura deri tani nga SPAK ndaj Ballukut janë të mjaftueshme për vijimin e hetimeve. “Masat e marra nga SPAK deri tani për Ballukun janë të mjaftueshme për hetimin”, është shprehur Manja, duke lënë të kuptohet se mazhoranca nuk sheh të nevojshëm autorizimin për arrestim në këtë fazë të procedimit.
Në të njëjtën linjë, kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, theksoi se Kuvendi ka marrë kohën e nevojshme për shqyrtimin e çështjes, sidomos pas përfshirjes së Gjykatës Kushtetuese në proces. Ai u ndal te parimi i prezumimit të pafajësisë, duke deklaruar se askush nuk mund të konsiderohet fajtor pa një vendim të formës së prerë të gjykatës. Sipas Ballës, pesë deputetët e PS në Këshill nuk janë dakord me propozimin e grupit të PD për dhënien e autorizimit në mënyrën si është paraqitur dhe se qëndrimi përfundimtar i socialistëve do të formalizohet pas diskutimit në mbledhjen e grupit parlamentar.
Balla sqaroi gjithashtu se Këshilli i Mandateve nuk e jep vetë autorizimin për arrestim, por vetëm harton raportin përkatës, ndërsa vendimi përfundimtar merret në seancë plenare. Sipas tij, Ulsi Manja do të hartojë raportin në emër të deputetëve socialistë, ndërkohë që opozita do të paraqesë raportin e saj, duke i lënë vendimin final votës së Kuvendit.