Lidhje


Trondit SPAK: Balluku ka kërcënuar dëshmitarët me të fortë të lidhur me krimin!

 

Vijon mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku po shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, një vendim që nëse miratohet nga Kuvendi, i hap rrugë arrestimit të saj.

 

Sipas raportimit të gazetarit Ergys Gjençaj, gjatë seancës me dyer të mbyllura, në përgjigje të pyetjeve të kryetarit të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, përfaqësuesit e SPAK kanë bërë me dije se gjatë hetimit janë konstatuar fakte të tjera penale që rëndojnë pozitat e Ballukut. Prokuroria ka argumentuar se ekziston rreziku që ajo të prishë prova apo të ndikojë në vijimësinë e hetimit.

 

SPAK ka deklaruar gjithashtu se më 20 nëntor 2025, Balluku dyshohet se ka intimiduar dy dëshmitarë, duke u kërkuar atyre të ndryshojnë dëshmitë. Sipas organit të akuzës, ekzistojnë prova që persona të njohur si “të fortë”, të dyshuar si të lidhur me elementë të krimit të organizuar, kanë ushtruar presion ndaj dëshmitarëve në emër të saj. Në mbledhje janë paraqitur edhe transkripte bisedash si pjesë e materialeve provuese.

 

Prokuroria ka theksuar se hetimi nuk ka sfond politik dhe se as Balluku dhe as avokatët e saj nuk kanë pretenduar ndonjë përndjekje apo ndikim politik nga ana e SPAK. Ky fakt, sipas burimeve, është konfirmuar edhe nga vetë mbrojtja gjatë diskutimeve në Këshill.

 

Nga ana e tij, Gazment Bardhi ka deklaruar se përveç personave të dyshuar me precedentë kriminalë, nën hetim është edhe një zyrtar publik, pjesë e kabinetit të ministres, i cili dyshohet se ka kërcënuar ose tentuar të korruptojë dëshmitarët. Megjithatë, prokuroria ka shmangur dhënien e detajeve të mëtejshme, duke iu referuar sekretit hetimor dhe faktit që çështja është ende në proces verifikimi.

XS
SM
MD
LG