Lidhje


Hetim penal për aksin Librazhd–Pogradec: Prokuroria zbarkon, rruga drejt Korçës mbetet e bllokuar

 

Prokuroria pranë Gjykatës së Elbasanit ka nisur kryesisht hetime penale lidhur me dëmtimet e rënda në segmentin rrugor Librazhd–Pogradec, që çuan në ndërprerjen e plotë të qarkullimit. Është regjistruar procedim për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, “Shkatërrim i pronës publike (rrugës)” dhe “Ndotje e ajrit, ujit apo tokës”, ndërsa për administrimin e provave është ngritur një grup i posaçëm hetimor. Hetimet vijnë pas agravimit të situatës në terren, ku është konstatuar zhvendosje e trupit të rrugës dhe dëmtime serioze në infrastrukturë.

 

Ndërkohë, prej më shumë se 24 orësh, qarkullimi nga Tirana drejt Korçës realizohet vetëm përmes itinerarit Maliq–Moglicë–Gramsh, pasi ARRSH vendosi mbylljen totale të segmentit Librazhd–Pogradec, si për automjetet ashtu edhe për këmbësorët. Sipas drejtorit të ARRSH-së, Ami Kozeli, ura në këtë aks ka pësuar zhvendosje deri në 40 centimetra, ndërsa terreni paraqet një plan rrëshqitjeje deri në 7 metra, sipas të dhënave paraprake të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar. Prej tre ditësh lëvizja kryhej me një korsi të vetme, por përkeqësimi i situatës detyroi mbylljen e plotë. ARRSH synon rikthimin e aksesit brenda ditës së nesërme, ndërsa rekomandon akse alternative për automjetet e lehta dhe devijim për mjetet e tonazhit të rëndë përmes pikave doganore Qafë Thanë dhe Bllatë.

XS
SM
MD
LG