Parlamenti Evropian paralajmëron zyrtarisht: Shqipëria rrezikon integrimin po nuk goditi korrupsionin e Ballukut
Draft-rezoluta e Parlamentit Evropian për Shqipërinë, e datës 16 shkurt dhe e hartuar nga eurodeputeti Andreas Schieder, përbën përgjigjen politike të Parlamentit ndaj raportit të zgjerimit të Komisionit Evropian për vitin 2025. Dokumenti bën një analizë të gjerë të zhvillimeve në institucionet demokratike, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e medias, të drejtat themelore, standardet zgjedhore dhe reformat socio-ekonomike. Në fokus të veçantë vendoset lufta kundër korrupsionit në nivele të larta dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit, si prova konkrete të angazhimit real të Shqipërisë në procesin e negociatave për anëtarësim në BE. Drafti thekson se korrupsioni mbetet një shqetësim serioz dhe kërkon rezultate të qëndrueshme në hetime, ndjekje penale dhe dënime përfundimtare, veçanërisht për çështjet e korrupsionit të nivelit të lartë, duke e lidhur këtë drejtpërdrejt me besimin publik dhe klimën e investimeve.
Në arsyetimin shpjegues, konsolidimi i reformave antikorrupsion, forcimi i shtetit të së drejtës dhe tejkalimi i polarizimit politik renditen si sfidat kryesore për vendin. Draft-rezoluta vjen në një kontekst tensioni të brendshëm, ku shumica parlamentare është përplasur me Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme pas masave ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe ka propozuar ndryshime ligjore për mbrojtjen e kabinetit nga pezullimi. Dokumenti i kushton vëmendje të veçantë edhe lirisë së medias, duke kërkuar transparencë më të madhe për konfliktet e interesit të pronarëve të mediave, mbrojtje ndaj presionit politik dhe ekonomik mbi gazetarët, si dhe hetime efektive të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj tyre. Liria e medias vendoset në të njëjtin nivel me luftën kundër korrupsionit si element thelbësor për forcimin e institucioneve demokratike.
Në kapitullin për standardet zgjedhore, drafti citon vlerësimin se kuadri ligjor është gjerësisht adekuat për zgjedhje konkurruese, por përsërit shqetësimet për terren të pabarabartë, keqpërdorim të burimeve administrative, pretendime për blerje vote dhe presion mbi votuesit. Ai u bën thirrje shumicës dhe opozitës për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe për rritje të kontrollit parlamentar mbi ekzekutivin, transparencë më të madhe legjislative dhe konsultim më të gjerë me shoqërinë civile dhe institucionet e pavarura. Ndërsa mirëpret përparimin në reformën në drejtësi dhe procesin e vetingut, raporti evidenton probleme të vazhdueshme si efikasiteti i sistemit gjyqësor, dosjet e prapambetura dhe rreziku i ndikimit të padrejtë. Në përfundim, rezoluta thekson se zbatimi real dhe i qëndrueshëm i reformave, jo vetëm miratimi formal i ligjeve, do të përcaktojë besueshmërinë e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.