Bordi i Paqes/ Rama deklaron: Shqipëria do të dërgojë trupa në Gaza!
Kryeministri Edi Rama njoftoi sot, gjatë mbledhjes së parë të Bordit të Paqes në Uashington, se Shqipëria ka konfirmuar angazhimin e saj në forcën ndërkombëtare të stabilizimit, duke kontribuar me trupa në misionin për Gazën. Në fjalën e mbajtur në takimin inaugurues të kësaj strukture të re ndërkombëtare, të krijuar për të adresuar situatën në Rripin e Gazës, Rama vlerësoi rolin vendimtar të Presidentit Donald Trump në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit.
Kreu i qeverisë shqiptare propozoi gjithashtu që Bordi i Paqes të nxisë vendet pjesëmarrëse të kontribuojnë drejtpërdrejt në ndërtimin e një objekti publik të dedikuar për fëmijët palestinezë. Sipas tij, një nismë e tillë do të shërbente si simbol i bashkimit të komunitetit ndërkombëtar në mbështetje të brezit më të pafajshëm të Gazës.
“Duke vepruar kështu, bota do të ndihmonte fëmijët e Gazës, që janë pengjet më të pafajshme të lunatizmit të Hamasit, të rriteshin me praninë fizike të vargut më të madh të duarve që ka shtrënguar bashkë njerëzimi ndonjëherë, jo vetëm duke vendosur paratë, por po kështu duke sjellë edhe arkitektët e tyre, në mënyrë që bota të transformojë një plagë të historisë në një oaz shprese, ku dhembshuria merr formë konkrete dhe e ardhmja merr formë rreth atyre që meritojnë më shumë, brezi i ardhshëm i palestinezëve”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se “Shqipëria do të ishte e privilegjuar të bëhej pjesë e këtij vargu”, duke falënderuar Presidentin Trump për përfshirjen e vendit tonë në këtë nismë. “Edhe njëherë, ju falënderoj që përfshitë Shqipërinë në këtë nismë fisnike. Duke qenë miq të afërt me Izraelin dhe vendet arabe, shpresojmë fort të jemi një vlerë e shtuar e vizionit tuaj të jashtëzakonshëm”, iu drejtua Rama presidentit amerikan.
Mbledhja inauguruese e Bordit të Paqes u zhvillua në ambientet e Institutit Amerikan të Paqes “Donald J. Trump” në Uashington D.C., nën drejtimin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, me pjesëmarrjen e liderëve dhe përfaqësuesve nga vende të ndryshme të botës.