Bardhi: Integrimi në BE po bllokohet për të mbrojtur Ballukun
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi sot në Kuvend, gjatë debatit për ndryshimet ligjore në Shërbimin e Jashtëm, se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian po rrezikohet për shkak të asaj që ai e cilësoi si mbrojtje politike ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Në fjalën e tij, Bardhi akuzoi mazhorancën se e ka politizuar diplomacinë, duke e kthyer Shërbimin e Jashtëm në një “strehë” për ish-deputetë socialistë. Sipas tij, rreth 70% e ambasadorëve aktualë jashtë vendit kanë të kaluar politike si deputetë të Partisë Socialiste.
Ai theksoi se çdo reformë në diplomaci do të ishte më e besueshme nëse qeveria do të informonte Kuvendin për pengesat reale që, sipas tij, po has integrimi për shkak të çështjes Balluku. Bardhi kritikoi edhe qëndrimin e ambasadorëve gjatë fushatës zgjedhore të 11 majit të vitit të kaluar, duke thënë se duartrokitjet për kryeministrin cenojnë pavarësinë institucionale.
Duke iu referuar mbledhjes së fundit të grupit COELA, ai pretendoi se Shqipërisë i është bërë e qartë se nuk do të ketë përparim në procesin e integrimit nëse Kuvendi shndërrohet në mburojë për zyrtarë të lartë të dyshuar për korrupsion. “Hapja e kapitujve nuk është sukses, sukses është mbyllja e tyre”, u shpreh Bardhi, duke shtuar se pa heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres nuk mund të ketë hapa përpara.
Sipas tij, shteti ligjor është themeli i integrimit evropian dhe mazhoranca po e vë në rrezik këtë proces për interesa politike. Bardhi përmendi si shqetësime të ngritura nga partnerët ndërkombëtarë edhe çështjen e Porto Romanos dhe dosjen e AKSHI-t, duke akuzuar qeverinë për mungesë transparence ndaj Kuvendit.
Në fund, ai argumentoi se problemi i Shërbimit të Jashtëm nuk është mungesa e një ligji të ri, por kushtet e vështira të diplomatëve të karrierës, të cilët sipas tij janë të keqpaguar dhe të pambështetur. Bardhi e mbylli fjalën me thirrjen që mazhoranca të mos mbrojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, duke theksuar se shqiptarët meritojnë një të ardhme të lirë dhe një proces integrimi të bazuar në shtetin ligjor.