Korridori 8 – Tirana miraton deklaratën e përbashkët me Italinë, RMV-në dhe Bullgarinë
Në Tiranë u mbajt Ministeriali i Korridorit 8, me fokus avancimin e bashkëpunimit për ndërlidhjen, qëndrueshmërinë dhe integrimin rajonal. Në përfundim të takimit u miratua Deklarata e përbashkët e Tiranës, ndërsa ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, si dhe zëvendësministri i Jashtëm i Bullgarisë, Nikolay Pavlov, dolën në një konferencë të përbashkët për mediat.
Sipas deklaratës, Korridori 8 ka domethënie strategjike politike, ekonomike dhe të sigurisë, duke kontribuar në kohezionin evropian, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në BE. Theksohet se zbatimi i koordinuar i projektit adreson boshllëqet e ndërlidhjes në Evropën Juglindore, rrit besueshmërinë e angazhimit të BE-së dhe përbën një kuadër kyç për ndërtimin e besimit politik, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe kontakteve mes njerëzve, veçanërisht të rinjve.
Në dokument dënohet fuqishëm “lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës” dhe mbështeten përpjekjet ndërkombëtare për një marrëveshje që i jep fund konfliktit. Palët nënvizojnë se Ballkani Perëndimor dhe rajoni i Detit të Zi janë zona tranziti të rëndësishme për tregtinë evropiane, ndërsa Korridori 8 konsiderohet projekt themelor për lehtësimin e flukseve tregtare dhe rritjen e lëvizshmërisë ushtarake në kuadër të bashkëpunimit BE–NATO, duke kontribuar në sigurinë e krahut juglindor dhe lindor të Aleancës.
Spiropali theksoi se fokusi ishte progresi konkret në terren, duke harmonizuar për herë të parë afatet dhe prioritetet përgjatë gjithë korridorit. “Hekurudha duhet të lidhet me hekurudhën, rruga me rrugën dhe portet me zonat e tyre ekonomike, pa pengesa strukturore”, tha ajo, duke shtuar se synimi është ta bëjnë Korridorin 8 një korridor të vërtetë evropian, jo vetëm një vijë në hartë.
Tajani e cilësoi projektin përparësi thelbësore për Italinë dhe një nga aspektet më të rëndësishme evropiane, ndërsa Mucunski theksoi se Korridori 8 është lidhje strategjike mes Adriatikut dhe Detit të Zi dhe mund të ketë sukses vetëm me angazhimin e të gjithë aktorëve. Pavlov nënvizoi përkushtimin e Bullgarisë, duke e konsideruar projektin prioritet kombëtar me rëndësi të veçantë mbrojtjeje në kontekstin aktual gjeopolitik.
Në kuadër të ministerialit do të zhvillohet edhe forumi ekonomik “Nga lidhja strategjike drejt rritjes ekonomike rajonale: Potenciali ekonomik i Korridorit 8”.