Brukseli paralajmëron Ramën: Rasti Balluku, provë vendimtare për Shqipërinë drejt BE-së
Kryetari i Komisionit për Çështjet e Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, e cilësoi çështjen që përfshin zv/kryeministren Belinda Balluku si një “test kritik” për Shqipërinë në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Deklaratat e tij u bënë në kontekstin e një vizite zyrtare në Tiranë, ku delegacioni i Parlamentit Evropian zhvilloi takime me autoritetet shqiptare dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë. Çështja ndaj Ballukut, e cila po hetohet nga SPAK, ishte pjesë e diskutimeve gjatë këtyre takimeve, në një moment kur reforma në drejtësi dhe pavarësia e institucioneve mbeten në fokus të vëmendjes së Brukselit.
McAllister theksoi se nuk është në pozicion për të komentuar në detaje raste individuale, por shtoi se mënyra se si do të trajtohet kjo çështje do të shihet si një provë e rëndësishme për seriozitetin e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit.
“Unë nuk mund të komentoj me hollësi për çështje individuale. Por për këtë rast që përfshin zonjën Balluku, do të thosha që është një çështje që do të bëjë test kritik për Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit”, u shpreh ai.
Ai bëri të ditur se rasti ka qenë pjesë e diskutimeve gjatë vizitës në Shqipëri, por ritheksoi se nuk do të përfshihet në çështje konkrete ligjore. “Kjo çështje ka pasur një rol gjatë vizitës dhe takimeve tona në Shqipëri. Nuk jam në pozicion të komentoj një çështje individuale. Po vij nga Brukseli dhe kam dijeni mbi rastin, por nuk do të përfshihem në çështjet ligjore të këtij rasti”, deklaroi McAllister.
Në vijim, ai theksoi mbështetjen e institucioneve evropiane për procesin e reformës në drejtësi dhe për institucionet e pavarura në Shqipëri. “I kam thënë të gjitha çfarë kam për të thënë për këtë çështje, nuk kam komente për çështje të brendshme. Nuk kam komente të mëtejshme. Kam qenë shumë i qartë në atë që thashë: Parlamenti Evropian, Komisioni Evropian dhe shërbimi i veprimit të jashtëm janë partnerë të Shqipërisë. Shqipëria dhe ne kemi shumë punë për të bërë në këtë vend për të forcuar shtetin ligjor, për të forcuar luftën kundër korrupsionit. Ne mbështesim institucionet e pavarura që luajnë këtë rol dhe jemi në anën e qytetarëve të këtij vendi drejt përmbushjes së kushteve për t’u bërë anëtarë të BE-së”, u shpreh ai.