Lidhje


Brukseli reagon për ndryshimet në Kodin Penal: “Po e ndjekim nga afër, lufta kundër korrupsionit është thelbësore”

 

Komisioni Europian ka reaguar pas nismës së shumicës për të ndryshuar Kodin e Procedurës Penale, përmes së cilës synohet ndalimi i pezullimit nga detyra me vendim gjyqësor për anëtarët e qeverisë dhe katër drejtues të institucioneve të tjera kushtetuese. Në një përgjigje për Report Tv, Brukseli konfirmon se “BE-ja po e ndjek nga afër amendamentin e paraqitur më 16 shkurt” dhe thekson se çdo nismë legjislative që prek gjyqësorin në vendet kandidate, përfshirë Shqipërinë, monitorohet dhe vlerësohet në raport me acquis-in e BE-së dhe standardet europiane.

 

Komisioni Europian nënvizon se këto iniciativa duhet të jenë në përputhje me legjislacionin komunitar dhe me parimet e shtetit të së drejtës, duke lënë të kuptohet se ndryshimet e propozuara nuk janë konsultuar paraprakisht me Brukselin. Në përgjigjen zyrtare, theksohet se shteti i së drejtës, pavarësia, llogaridhënia dhe efikasiteti i sistemit gjyqësor janë elemente themelore të procesit të zgjerimit dhe të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, veçanërisht në kuadër të zbatimit të reformës në drejtësi të vitit 2016.

 

I pyetur për mundësinë e një përplasjeje më të thellë mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor, Komisioni paralajmëron se retorika që cenon besimin publik ndaj pavarësisë dhe integritetit të sistemit të drejtësisë është kundërproduktive. Në të njëjtën linjë, Brukseli rikujton se është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë të shqyrtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të deputetëve, duke iu referuar kontekstit të çështjes së zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka paraqitur kërkesë për arrestim që pritet të shqyrtohet nga Këshilli i Mandateve.

 

Në përfundim, Komisioni Europian thekson se lufta efektive kundër korrupsionit, veçanërisht në nivele të larta, mbetet kusht parësor për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke e vendosur debatin mbi ndryshimet ligjore në një kornizë më të gjerë të detyrimeve të vendit në procesin e integrimit.

XS
SM
MD
LG