Kushtetuesja rrëzon Ramën për pagat e gjyqtarëve: U ulën! Kuvendi të ribëjë ligjin!
Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin për çështjen e pagave të gjyqtarëve, duke pranuar pjesërisht padinë e tyre dhe duke i lënë Kuvendit detyrën të hartojë një formulë të re ligjore. Në vendim theksohet se ligjvënësi ka diskrecion për të përcaktuar referencën e pagave, por kjo kompetencë duhet të ushtrohet në përputhje me nenin 138 të Kushtetutës dhe pa sjellë ulje të drejtpërdrejtë apo të fshehur të pagave.
Sipas Kushtetueses, formula aktuale – e miratuar në vitin 2023 dhe që e lidh pagën e gjyqtarëve me 36% të pagës së Presidentit – ka prodhuar një “ulje të fshehur” në raport me rritjen ekonomike, çka bie ndesh me parimet kushtetuese të mbrojtjes së pavarësisë së gjyqësorit. Për këtë arsye, Kuvendi duhet të ndërhyjë me ndryshime ligjore, ndërsa efektet financiare të formulës së re duhet të llogariten që nga viti 2023.
Gjyqtarët kishin kërkuar shfuqizimin e ndryshimeve ligjore të bëra nga qeveria në vitin 2023, duke argumentuar se metoda e re e llogaritjes u ka ulur përfitimet dhe është antikushtetuese. Ata propozuan që paga e tyre të referohej me nivelin e Drejtorit të Departamentit në Kryeministri, por Gjykata zgjodhi të mos imponojë një formulë konkrete, duke ia lënë këtë përgjegjësi Kuvendit.