Lidhje


“Nxiton” reforma territoriale – PS & PD e mbyllin në korrik, ku është drafti dhe transparenca?

 

Reforma Administrativo-Territoriale po shtyhet me ritëm të përshpejtuar drejt korrikut 2026, afat që sipas bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm, Arbjan Mazniku, është “i diktuar nga datat në fuqi” dhe nga rekomandimi i Komisionit të Venecias që ndryshimet administrative të bëhen një vit para zgjedhjeve. Kjo do të thotë se reforma duhet të mbyllet para zgjedhjeve vendore të vitit 2027, përndryshe – siç paralajmëroi Mazniku – procesi do të shtyhej për në vitin 2031. Por përtej afatit, mbetet e paqartë se çfarë përmbajtjeje konkrete do të ketë reforma, pasi deri tani nuk është bërë publik asnjë draft me ndryshime specifike në hartën territoriale apo në numrin e bashkive.

 

Mazniku pranoi se dy muaj janë humbur në nisjen e punimeve dhe theksoi se komisioni do të punojë me “intensitet të madh”, duke ndërtuar kalendarin “duke ecur mbrapsht në kohë” nga fundi i korrikut 2026. Ai parashikoi tri faza dëgjesash publike: konsultime në terren, diskutime me ekspertë dhe një fazë të tretë pas hartimit të akteve, si edhe mbledhje opinionesh nga qytetarët përmes sondazheve apo formave të tjera. Megjithatë, kritikët theksojnë se konsultimet nuk zëvendësojnë transparencën mbi përmbajtjen reale të reformës, sidomos kur ende nuk dihet nëse do të preken kufijtë aktualë administrativë apo do të rishpërndahen kompetencat financiare.

 

 

Një element që ka ngritur pikëpyetje është bashkëpunimi mes mazhorancës dhe opozitës në drejtimin e procesit. Mazniku dhe bashkëkryetari nga Partia Demokratike, Luciano Boçi, ranë dakord për krijimin e një portali të posaçëm si nënfaqe e faqes zyrtare të Kuvendit, ku do të publikohen dokumentet dhe ecuria e punës. Kalendari i punimeve u miratua me votat e të dyja palëve, me shënimin se është i ndryshueshëm. Por për kritikët, ky konsensus i shpejtë PD-PS mbi kalendarin dhe afatin, ndërkohë që mungon një debat i hapur mbi thelbin e reformës, ngre dyshime nëse procesi po orientohet më shumë nga kalkulime politike për vitin 2027 sesa nga nevoja reale për decentralizim dhe forcim të pushtetit vendor.

XS
SM
MD
LG