Lidhje


KESH fal energji, shet 11 mijë mega me çmim 16 euro

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare njoftoi se arriti të shesë 10 mijë e 800 megavat energji këtë të martë me çmimin e falur prej 16.57 euro për mega.

 

Në ankandin e shpallur një ditë më parë, KESH kishte nxjerrë për shitje rreth 57 mijë mega vat energji, e cila prodhohet nga hidrocentralet e tejmbushur të Kaskadës së Drinit.

 

Por kërkesa e blerësve ka qenë minimale duke e detyruar KESH të shesë vetëm 20 për qind të sasisë së planifikuar me çmimin thuajse falas prej 16.57 euro për mega. Energjia do të dorëzohet në datat 18-22 shkurt.

Rezultatet e ankandit per shitjen e energjise

 
 

Të dhënat zyrtare tregojnë se KESH po përballet me një situatë gati emergjence në Kaskadën e Drinit për shkak të prurjeve të larta dhe tejmbushjes së baseneve të hidrocentraleve. Një ditë më parë Kaskada nisi shkarkimet e detyruara të ujit, të cilat kanë vazhduar edhe këtë të martë në nivele të larta duke shkaktuar përmbytje në zonën e Shkodrës sipas Prefekturës së Qarkut.

 

“Korporata Elektroenergjike Shqiptare (KESH) ka njoftuar se pas monitorimit të afërt dhe vlerësimit pêr administrimin e prurjeve, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentralet në kaskadën e lumit Drin: Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës. Që prej orëve të pasdites se djeshme është konstatuar rritje e niveleve të lumenjve Drin dhe Bunë, si dhe të Liqenit të Shkodrës,” njoftoi Prefektura e Shkodrës përmes një komunikate zyrtare.

 

Sipas saj, si rezultat i shkarkimeve masive nga KESH, në zonën e Obotit është evidentuar prezencë uji kryesisht në tokat bujqësore, duke zgjeruar sipërfaqen e përmbytur, pa rrezik për banesat deri në këto momente, ndërkohë që aksi rrugor lidhës i fshatit me rrugën kryesore paraqet prezencë uji rreth 40–50 cm, duke vështirësuar kalimin për mjetet e vogla. /Kapitali.al/

XS
SM
MD
LG