Rama provokon qytetarët e Durrësit? "Prishje do të ketë – Projekti TID nuk do të ndalet!"
Kryeministri Edi Rama u takua sot në Bashkinë e Durrësit me banorët që preken nga projekti TID, një nismë e qeverisë që synon transformimin e zonës arkeologjike të qytetit në një park të madh urban dhe pjesë e bulevardit historik të qytetit. Takimi, i cili zgjati rreth 2 orë e 30 minuta, u zhvillua në mes të tensionit dhe protestave të banorëve para ambienteve të bashkisë, të cilët shprehën shqetësime të forta lidhur me prishjen e banesave dhe ndikimin në jetën e tyre.
Pas bisedimeve me përfaqësues të familjeve të prekur nga projekti, Rama theksoi qartë se zbatimi i projektit TID nuk do të ndalet. Ai tha se u arrit dakordësi me rreth 34 familje, ndërsa pjesa tjetër e protestuesve sipas tij nuk përfaqëson qytetarët, por krijon tensione politike. Për mediat, kryeministri u shpreh se ndërkohë që projekti do të vazhdojë normalisht, do të kryhen verifikime të detajuara për disa objekte që dyshohet se kanë vlera të trashëgimisë kulturore.
“Me 34 qytetarë të Durrësit, përfaqësues të familjeve, kemi folur rreth 2 orë e gjysmë. Biseda ka qenë konstruktive, me opinione të ndryshme… Sa i përket problemit të vërtetë, ramë dakord se si do të ecim para qoftë me verifikimin e nevojshëm për disa objekte që mund të kenë vlera të trashëgimisë kulturore. Prishje do të ketë, projekti nuk do të ndalet…” — u shpreh Edi Rama nga Durrësi.
Rama gjithashtu theksoi se do të shqyrtohen edhe disa banesa që, megjithëse kanë qenë prej vitesh në ato vende, nuk figurojnë të regjistruara në hipotekë, duke shtuar se edhe këto raste do të trajtohen me kujdes sipas procedurave përkatëse.
Nga ana e banorëve dhe pjesëmarrësve në protestë u shprehën kritika të ashpra ndaj qeverisë dhe projektit. Disa prej tyre deklaruan se janë të pakënaqur nga rezultatet e takimit, duke thënë se autoriteteve u është bërë e qartë se projekti do të vijojë, pavarësisht kundërshtimeve të tyre. Përfaqësuesja e banorëve tha se u është komunikuar se duhet të pranojnë zbatimin e projektit, ndërkohë që ata kërkojnë rishikim të detajuar dhe diskutim më të gjerë për pasojat sociale dhe ekonomike të prishjeve të banesave.
Protestat dhe debatet rreth projektit TID nuk janë të reja. Qytetarë të Durrësit kanë protestuar edhe më herët, duke kërkuar dialog dhe transparencë mbi pasojat e projektit në zonën historike të qytetit.
Ndërkohë, autoritetet lokale kanë paralajmëruar se banorët duhet të lirojnë vullnetarisht banesat deri më 16 shkurt, për të mundësuar vijimin e punimeve dhe fazat e tjera të projektit.