Fond i ri për artin dhe sportin: 1/3 e kursimeve shtetërore do të shkojë për kulturën!
Qeveria ka hedhur për konsultim publik një projektligj që parashikon krijimin e një fondi të posaçëm për mbështetjen e artit, kulturës dhe sportit. Sipas Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, nisma vjen si përgjigje ndaj mungesës prej vitesh të mekanizmave alternativë financimi për projekte dhe investime me interes publik, të cilat nuk përfshihen në programet aktuale buxhetore.
Në relacionin shoqërues të draftit theksohet se financimi ekzistues është i copëzuar, i kufizuar në kohë dhe i lidhur me programe të ngurta buxhetore që nuk trashëgohen, ndërsa shpesh rezulton i pamjaftueshëm për të përballuar nevoja emergjente, iniciativa ndërsektoriale apo projekte me ndikim të gjerë. Dokumenti nënvizon se sektori i artit, kulturës dhe sportit përballet ende me vështirësi strukturore dhe financiare që pengojnë zhvillimin e qëndrueshëm, rritjen e profesionalizmit dhe veçanërisht përfshirjen e të rinjve.
Sa i takon burimeve të financimit, neni 7 i projektligjit përcakton disa kanale konkrete. Fondi Kombëtar për Artin, Kulturën dhe Sportin do të ushqehet fillimisht nga kursimet e realizuara përmes procedurave të prokurimit publik nga institucionet e administratës shtetërore qendrore, të cilat konsolidohen në Buxhetin e Shtetit. Konkretisht, një e treta (1/3) e kursimeve financiare të evidentuara në nivel qendror, në përputhje me ligjin e buxhetit, do të alokohet për këtë fond. Në përkufizimin e kursimeve përfshihen edhe ato që rrjedhin nga procedurat e prokurimit të përqendruar të zhvilluara nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP). Gjithashtu, fondi mund të pasurohet nga donacione, sponsorizime dhe grante, sipas legjislacionit në fuqi.