Lidhje


E PADËGJUAR! “Diella” padit Ramën në Gjykatën Administrative – 1 milion euro dëmshpërblim!

 

Aktorja e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, Anila Bisha, ka depozituar më 9 shkurt një padi në Gjykatën Administrative, duke kundërshtuar përdorimin e imazhit dhe zërit të saj për krijimin e ministres virtuale “Diella”. Në kërkesëpadinë e saj, ajo kërkon ndërprerjen e menjëhershme të përdorimit të të dhënave personale, si edhe një dëmshpërblim në vlerën 1 milion euro për cenim të imazhit.

 

Çështja ka tërhequr vëmendjen edhe të medias ndërkombëtare, përfshirë agjencinë Reuters, ku ka reaguar avokati i saj, Aranit Roshi. Sipas tij, legjislacioni shqiptar parashikon gjoba që mund të arrijnë deri në 21 milionë euro për institucionet publike në rast të shkeljes së të dhënave personale, ndaj kërkesa për 1 milion euro konsiderohet e arsyeshme dhe proporcionale.

 

Bisha ka deklaruar se nuk ka dhënë asnjëherë pëlqim që pamja e saj të përdorej për një funksion të tillë, duke theksuar se situata i ka sjellë shqetësime serioze, përfshirë komente dhe ngacmime në rrjetet sociale, si edhe vëmendje të padëshiruar në jetën e përditshme. “Në fillim mendova se ishte një shaka. U habita dhe buzëqesha. Tani njerëzit më thërrasin Diella dhe më trajtojnë si një ministre të qeverisë. Ata që nuk e pëlqejnë kryeministrin, e shprehin pakënaqësinë edhe ndaj meje”, është shprehur ajo për Reuters.

 

Nga ana tjetër, qeveria i ka hedhur poshtë pretendimet, duke i cilësuar të pabazuara. Zyra e shtypit ka deklaruar se padia është “pa kuptim”, por ka nënvizuar se çështja do të zgjidhet në rrugë gjyqësore. Ndërkohë, imazhi i “Diellës” shfaqet në faqen zyrtare të qeverisë në rreshtin e parë të kabinetit, krahas fotografive të kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

 

Në dokumentin e depozituar në gjykatë, aktorja pretendon se përdorimi i imazhit të saj për rolin e “Diellës” përbën shkelje të kontratës, pasi marrëveshja, sipas saj, ishte lidhur vetëm për rolin e asistentes virtuale të shërbimeve në platformën “e-Albania”. Në padi përfshihen si palë të paditura Këshilli i Ministrave, kompania “Apel shpk”, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, si edhe vetë kryeministri Rama. Ajo ka theksuar se u ndje e befasuar kur në shtator 2025, gjatë prezantimit zyrtar të “Diellës” nga kryeministri, konstatoi se avatari ishte ndërtuar mbi tiparet e saj.

XS
SM
MD
LG