E PAPRITUR! Paradite në SPAK – Rama shkarkon Engjëll Agaçin pas 13 vitesh! Ja emri që e zëvendëson
Administrata e lartë e Këshillit të Ministrave ka pësuar një ndryshim të menjëhershëm brenda pak orësh. Engjëll Agaçi nuk do të jetë më Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë, duke mbyllur një cikël 13-vjeçar në këtë funksion, që prej vitit 2013, kur Edi Rama mori drejtimin e qeverisë. Largimi i tij vjen menjëherë pas paraqitjes në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku gjatë paradites së sotme ai u mor në pyetje për rreth tre orë lidhur me hetimet për inceneratorin e Tiranës. Në dalje nga SPAK, Agaçi deklaroi se mbetet në dispozicion të drejtësisë, por pak kohë më vonë u konfirmua dorëheqja e tij nga posti që mbante prej më shumë se një dekade.
Burime mediatike bëjnë të ditur se pasardhësja e tij është prezantuar nga vetë Kryeministri gjatë mbledhjes së qeverisë. Në krye të Sekretariatit të Përgjithshëm është emëruar Elsonida Rama, e cila vjen nga strukturat teknike të legjislacionit. Më herët, ajo ka shërbyer në Drejtorinë e Kodifikimit pranë Ministrisë së Drejtësisë, një sektor kyç për hartimin dhe përpunimin e legjislacionit dhe akteve normative. Agaçi konsiderohej si një prej bashkëpunëtorëve më jetëgjatë të Kryeministrit Rama, duke luajtur rolin e hallkës lidhëse mes vendimmarrjes politike dhe zbatimit ligjor të akteve qeveritare. Zëvendësimi i tij me një profil teknik shënon një ndryshim të rëndësishëm në strukturën e brendshme të Kryeministrisë, në një moment kur hetime të ndryshme po prekin nivele të larta të administratës shtetërore.