Protesta e sotme e PD, para ambasadave? Vjen paralajmërimi i fortë i Berishës pak orë përpara
Sali Berisha, kreu i Partisë Demokratike, ka paraqitur sot strategjinë e protestës kombëtare të thirrur për 10 shkurt duke e përshkruar atë si një “kryengritje të fuqishme paqësore” që synon të shndërrohet në një mesazh jo vetëm për qytetarët, por edhe për qendrat ndërkombëtare si Brukseli, Uashingtoni dhe Berlini. Ai deklaroi se skenari i protestës është një mesazh i fuqishëm i qytetarëve që nuk dorëzohen ndaj, siç e quajti ai, “narco-shtetit” dhe se qëllimi është mbrojtja e vlerave të përbashkëta të lirive dhe të ardhmes evropiane të Shqipërisë. Berisha tha se kjo protestë vjen pas, sipas tij, dështimit të fazës së parë të një grushti shteti dhe nisjes së fazës së dytë nga kryeministri Edi Rama, duke akuzuar qeverinë se ka tejkaluar çdo normë ligjore, standard moral dhe parime demokratike.
Në këtë konferencë për mediat, Berisha u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve, edhe atyre që jetojnë jashtë vendit, të përgatiten për të organizuar protesta edhe para përfaqësive diplomatike të shtetit shqiptar në vendet ku ata jetojnë, me qëllim që të dërgojnë mesazhin se këto mjedise përfaqësojnë një “narco-shtet”, ndërsa protestuesit në rrugë janë zëri i kombit shqiptar. Ai nënvizoi se kjo lëvizje është e nevojshme dhe jetike për momentin aktual politik, duke i bërë thirrje mbështetësve të PD që të kontribuojnë me organizim dhe aktivitete paqësore në të gjithë botën.
Pak orë para nisjes së protestës, Berisha shpërndau një mesazh përmes rrjeteve sociale duke e cilësuar tubimin e pasdites si “kryengritjen paqësore për fitore, për të ardhmen dhe për Europën”, duke ftuar qytetarët që të mblidhen në Tiranë në orën 17:00 për të bërë të ndjehet zëri i tyre. Ai theksoi se protesta nuk është vetëm një tubim simbolik, por një hap kyç në betejën për ndryshim të qeverisjes dhe për realizimin e objektivave kombëtare të integrimit në Bashkimin Evropian.