Lidhje


Grup fetar i paligjshëm synonte fëmijët: pastorja e vetëshpallur dhe mësuesi i gjimnazit

Një grup fetar online, i pa regjistruar dhe që vepron jashtë çdo kuadri ligjor, është zbuluar se synon rekrutimin e fëmijëve përmes platformave digjitale, duke përdorur metoda që imitojnë procesin mësimor dhe autoritetin shkollor. Në qendër të aktivitetit të këtij rrjeti ndodhet një pastore e vetëshpallur, e cila predikon prej vitesh në internet dhe ndërton një komunitet besimtarësh mbi bindje absolute, ndarje nga shoqëria dhe refuzim të institucioneve zyrtare.

 

Grupi shfrytëzon figura me autoritet shoqëror, si mësues, për të krijuar besim tek të miturit dhe prindërit e tyre. Në këtë skemë përfshihet edhe mësuesi i shkollës “Gustav Majer” në Tiranë, i cili rezulton i angazhuar aktivisht në aktivitetet e grupit fetar. Ai përshkruhet si i rekrutuar fillimisht si ndjekës dhe më pas si përçues i drejtpërdrejtë i mësimeve fetare, duke u dhënë fëmijëve “detyra” me përmbajtje biblike, duke kërkuar bindje të plotë ndaj doktrinës dhe duke i vlerësuar ata me nota apo shpërblime simbolike për përkushtimin shpirtëror.

 

Përveç veprimtarisë online, grupi organizon edhe takime fizike në Tiranë, ku zhvillohen rituale fetare, pagëzime dhe seanca ku premtohen shërime shpirtërore ose fizike. Retorika e përdorur është e fortë dhe përjashtuese, duke paralajmëruar pasoja shpirtërore për ata që nuk ndjekin mësimet e grupit. Mungesa e statusit ligjor, përzierja e fesë me arsimin dhe përfshirja e të miturve në këtë veprimtari kanë ngritur shqetësime serioze mbi kontrollin institucional dhe mbrojtjen e fëmijëve nga indoktrinimi në hapësirën online.

XS
SM
MD
LG