Lidhje


Vendimi i gjykatës/ Kur u largua Endri Shabani nga “Nisma Thurje”? Pikëpyetje mbi mandatin e Avokatit të Popullit

Në 12 nëntor të vitit 2025, Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e Çentralit të “Nismës Thurje”, organit kryesor vendimmarrës të organizatës politike, për emërimin e kryetarit të ri, Elton Çanaj.

 

Në vendimin gjyqësor, të siguruar nga “Boldnews.al”, thuhet se kryetari i mëparshëm, Endri Shabani, ka njoftuar dorëheqjen e parevokueshme në 1 Tetor 2025, me efekte që nisnin në 15 tetor dhe se Çentrali kishte vendosur ndryshimet në drejtim e “Nismës” në 16 Tetor të atij viti.

 

Vendimi i Gjykatës së Tiranës, e më konkretisht datat specifike të vendimmarrjes brenda “Nismës Thurje”, pritet të përbëjnë një bazë të fortë diskutimi në Gjykatën Kushtetuese, mbi vlefshmërinë e mandatit të Endri Shabanit si Avokat Populli, i emëruar nga Parlamenti në 11 dhjetor 2025.

Në foto: Vendimi i Gjykatës së Tiranë (12 nëntor 2025) për regjistrimin e kryetarit të ri të “Nisma Thurje”

Një e pesta e deputetëve, pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, kanë dorëzuar në mes të dhjetorit të vitit të kaluar një padi kundër emërimit të Shabanit. Ndër të tjera, paditësit kanë argumentuar se Shabani është emëruar në kundërshtim me nenin 61 të Kushtetutës, i cili ndalon që Avokati i Popullit të jetë anëtar i një partie politike.

 
 

Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë nëse ky argumentim qëndron. Dhe, për të arritur në një konkluzion, natyrisht, do të duhet të mbështetet në vendimin e Gjykatës së Tiranës për pozicionin e Endri Shabanit në krye të organizatës politike “Nisma Thurrje”.

 

Dorëheqja dhe emërimi i Shabanit

 

Në vendimin e Gjykatës së Tiranës, miratuar nga gjyqtari Fatmir Ndreu, thuhet: “Më dt. 16.10.2025, është mbledhur Çentrali i Partisë “Nisma Thurje” me rend dite: Zgjedhja e kryetarit të partisë”.

 

Sipas vendimit gjyqësor, “Mbledhja, pasi ka konstatuar se më dt. 1 tetor 2025, kryetari i partisë z. Endrit Shabani ka paraqitur një letër dorëheqjeje të parevokueshme, në të cilën njofton se, që nga data 15 tetor 2025, ai heq dorë nga anëtarësia dhe çdo funksion drejtues brenda partisë, si dhe se, vakanca e krijuar ka bërë të nevojshme zhvilimin sa më të shpejtë të zgjedhjeve për kryetar partie, ka votuar mbi kandidaturën e paraqitur të z. Elton Çanaj”.

 

Bazuar në ligjin “Për Partitë Politike”, gjyqtari ka vendosur “Pranimin e kërkesës. Depozitimin në regjistrin e partive politike të vendimmarrjes të Çentralit të Partisë “Nisma Thurje”, të datës 16.10.2025, ku është vendosur: Zgjedhja si Kryetar i Partisë i z. Elton Çanaj”.

 

Mbledhja e Çentralit të “Nismës” është një procedurë rutinore brenda organizatave politike. Por ajo që përbën interes në këtë rast është fakti se kur konsiderohet se Shabani nuk është më pjesë e partisë. Sipas dokumentave të vetë “Nismës”, ai ka njoftuar në 1 Tetor se jep dorëheqjen e parevokueshme, e cila i nis efektet në 15 Tetor.

 

Në foto: Endri Shabani, pasi u votua në Parlament

Dorëheqja e Endri Shabanit nuk lidhej me vetëdije politike për rezultatet zgjedhore, por me vullnetin e tij për të aplikuar për pozicionin vakant të Avokatit të Popullit.

 

Në 13 Tetor 2025, pra dy ditë para se të bëhej efektive brenda partisë “dorëheqja e parevokueshme” e Shabanit, Komisioni i Ligjeve shpalli vakancën për Avokatin e Popullit dhe vendosi afat 30-ditor për dorëzimin e kandidaturave.

 

Në 7 Nëntor, në faqen zyrtare të internetit të Parlamentit publikohet lista e 26 kandidatëve për këtë vakancë, ndër të cilët ishte edhe emri i Endri Shabanit.

 

Në datat 12-13 nëntor, Komisioni Parlamentar i Ligjeve zhvilloi seancat dëgjimore me kandidatët dhe në datë 17 nëntor, iu përcillet grupeve parlamentare lista e kandidatëve të kualifikuar, përfshirë Shabanin.

 

Në 9 dhjetor, Komisioni i Ligjeve i ka përcjellë seancës 6 kandidatët e kualifikuar dhe Endri Shabani u zgjodh si Avokat i Popullit në 11 dhjetor 2025.

 

Pikëpyetjet kushtetuese

 

Për grupin parlamentar opozitar, mandati i Shabanit në krye të Avokatit të Popullit është i pavlefshëm, ndër të tjera edhe sepse ai ishte anëtar partie (drejtues) në momentin e kandidimit.

 

Ligji për “Partitë Politike” nuk është shumë i detajuar lidhur me nisjen e efekteve të “dorëheqjes së parevokueshme” të kryetarit të organizatave politike.

 

Në nenin 9 të këtij ligji thuhet se: “Partia politike njihet si person juridik që nga data kur gjykata ta ketë miratuar dhe regjistruar atë”.

Në vijim, në nenin 14/1 të tij thuhet se: “Dispozitat e këtij ligji për regjistrimin e partive politike janë njëlloj të vlefshme për ndryshimet dhe fshirjet në regjistrimet e mëparshme”.

Në foto: Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë padinë për vlefshmërinë e mandatit të Avokatit të Popullit, Endri Shabani

Pra, në një lexim të thjeshtë, edhe ndryshimet në strukturat drejtuese, përfshirë kryetarin, marrin fuqi ligjore në momentin që regjistrohen nga gjykata.

 

Gjykata e Tiranës ka miratuar ndryshimin e kryetarit të “Nisma Thurje” në 12 nëntor dhe ai ka marrë fuqi juridike të plotë pas 15 ditësh, më e pakta në 27 nëntor 2025.

 

Ndërkohë, Endri Shabani ka aplikuar për Avokat Popullit maksimalisht në 7 nëntor, kur Parlamenti bëri publik listën e kandidatëve dhe se ai është kualifikuar për vijimin e garës në 17 nëntor 2025, pra para se vendimi i gjykatës së Tiranës për ndryshimin e kryetarit të “Nismës Thurje” të merrte fuqi ligjore.

 

A ishte Shabani ende kryetar kur kandidoi?

 

Dorëheqja, edhe ajo e parevokueshm, është një akt vullnetar dhe i patjetërueshëm i çdo individi që mban një funksion. Endri Shabani ka shprehur vullnetin e tij për t’u larguar nga drejtimi i “Nismës Thurje” në 15 Tetor, pra para se të kandidonte për Avokat Populli.

 

Megjithatë, në rastin e funksionarëve drejtues të partive politike, ndryshimet duhet të konfirmohen nga gjykata. Dhe, gjykata e Tiranës e ka konfirmuar largimin e tij (në mënyrë indirekte, pasi nuk e ka përmendur), duke pranuar kërkesën e Çentralit të “Nisma Thurje” për emërimin e kryetarit të ri, pasi Endri Shabani ishte bërë kandidat zyrtar për Avokat Populli.

 

Tashmë pritet që Gjykata Kushtetuese të vlerësojë nëse Shabani ka qenë ose jo “de jure” kryetar i Partisë, në momentin që Komisioni i Ligjeve e ka vlerësuar si kandidat të kualifikuar për postin e Avokatit të Popullit, e rrjedhimisht, të shprehet për vlefshmërinë ose jo të mandatit të tij në këtë pozicion./Boldnews

XS
SM
MD
LG