Kush është gjyqtarja e opozitës që votoi sërish PRO Belindës?
Vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese kanë rikthyer në vëmendje një debat të fortë publik mbi pavarësinë reale të institucioneve dhe ndërthurjen e politikës me drejtësinë. Në qendër të polemikave është vendosur gjyqtarja kushtetuese Sonila Bejtja, e cila ka votuar pro kërkesave të paraqitura nga kryeministri Edi Rama, përfshirë edhe çështjen që lidhet me rikthimin në detyrë të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Sipas burimeve mediatike, Bejtja ka qenë një nga votat që mbështeti kërkesën e qeverisë në Gjykatën Kushtetuese, në një moment kur vendimi kishte rëndësi të drejtpërdrejtë politike dhe institucionale. Ky pozicionim ka ngritur pikëpyetje të forta në opinionin publik, sidomos për shkak të rrethanave që shoqërojnë figurën e saj.
Sonila Bejtja është bashkëshortja e gazetarit Andi Bejtja, i punësuar në SYRI TV, një media e identifikuar gjerësisht si pranë Partisë Demokratike dhe kritikë e vazhdueshme e qeverisë. Kjo lidhje familjare ka ushqyer dyshime për një ndërthurje të pazakontë mes politikës, medias dhe drejtësisë, në një kohë kur në publik PS dhe PD shfaqen të përplasuara, por në vendime kyçe institucionale duken të sinkronizuara.
Dyshimet për bashkëpunim të heshtur mes palëve të mëdha politike janë përforcuar edhe nga zhvillime të tjera paralele. Një ndër to është bllokimi i procesit në Kuvend për zgjedhjen e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ku asnjë nga 15 kandidatët nuk arriti të sigurojë firmat e nevojshme, pasi deputetë si të PS-së ashtu edhe të PD-së refuzuan të mbështesin ndonjë emër. Ky dështim i koordinuar ka ngritur dyshime se procesi është mbajtur qëllimisht i hapur për një emër të caktuar i cili do t ishte ai i Sonila Bejtja.
Në këtë kontekst, përmendet edhe fakti se Sonila Bejtja kishte qenë më herët kandidate për postin e Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi, por ishte tërhequr, duke argumentuar papajtueshmëri kohore me mandatin e saj në Gjykatën Kushtetuese. Sot, kjo tërheqje po interpretohet nga analistë dhe qarqe politike si një lëvizje taktike, në pritje të përfundimit të mandatit të saj dhe një emërimi të mundshëm me mbështetje politike të gjerë.
Burime pretendojnë se pas votës pro kërkesave të qeverisë, po qarkullojnë skenarë për një shpërblim institucional. Megjithatë, mungesa e transparencës dhe përsëritja e këtyre rasteve po ushqejnë bindjen se vendimmarrja në institucionet e pavarura nuk është aq e shkëputur nga politika sa pretendohet.
Analistët e cilësojnë këtë situatë si një formë “bashkëjetese pushteti” mes PS-së dhe PD-së, ku konfliktet publike shërbejnë për konsum elektoral, ndërsa në prapaskenë ndërtohen konsensusë për interesa personale dhe institucionale. Në këtë skemë, humbësi i vetëm mbetet qytetari, i cili sheh se drejtësia dhe institucionet përdoren si monedhë shkëmbimi mes elitave politike./JOQ