Vjedhjet miliona euro të Klodian Allajbeut po hetohen nga SPAK
Sunday, 18 January 2026 23:08
Hackerimi i emaile-ve të SPAK nga Arnold Rrokaj ka nxjerrë disa nga emrat më të bujshëm të skemës politike e parave publike që kanë dosje në SPAK.
"Një material hetimor tjetër në format Word është gjetur për Klodian Allajbeun, për të cilin më duhet të sqaroj se ishte pa stemë ose shenjë të strukturës suaj, por nga përmbajtja dukej si informacion i lidhur me hetimin", ka sqaruar në dëshminë e tij Zambak Gjoni pasi i ranë në dorë materialet që ia kaloi shoku i tij Rrokaj.
Oligarku i Shëndetësisë Klodian Allajbeu duket se ka dosje në SPAK dhe është vënë nën hetim edhe në Shqipëri.
Një skemë e dyshuar e pastrimit të parave dhe falsifikimit të dokumenteve e ka vënë në qendër të hetimeve edhe në Kosovë.
Prokuroria Speciale dhe Administrata Tatimore e Kosovës ka ngritur akuza Klodian Allajbeut, pronar i “American Hospital Kosova” dhe Spitalit Amerikan në Shqipëri.
Sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se ka pastruar para përmes një skeme të mirëorganizuar që përfshinte falsifikimin e dokumenteve dhe paraqitjen e tyre si të rregullta pranë Administratës Tatimore të Kosovës. Hetimet tregojnë se veprimet janë kryer në momentin kur të përfshirët kishin dijeni se po hetoheshin nga autoritetet tatimore dhe Prokuroria Speciale.
Sipas aktakuzës, Klodian Allajbeu, në cilësinë e aksionarit të “American Hospital Kosova”, dhe drejtori Igli Larashi, kanë përdorur dokumente të falsifikuara për këtë transaksion dhe i kanë paraqitur ato pranë Administratës Tatimore të Kosovës si dokumentacion zyrtar.
Autoritetet dyshojnë se skema është përdorur për të justifikuar qarkullimin e shumave të mëdha financiare dhe për të fshehur burimin real të parave, në një kohë kur strukturat shtetërore kishin nisur verifikimet ndaj aktivitetit të tyre ekonomik./joq